PREVIEW | Shkëndija vs Renova

No image

Kuqezinjtë rikthehen në aksion pas pauzës ndërkombëtare dhe të dielën në Tetovë në orën 13:00 ndeshen me Renovën.

Pas pauzës dy javore të kampionatit vendor shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare të ekipeve përfaqësuese, rikthehet Liga e Parë me ndeshjet e xhiros së 15-të. Kuqezinjtë do të luajnë në Tetovë pas 21 ditëve, pasi ndeshja e fundit si vendas u luajt më 3 nëntor kur fitonim Borecin 4:0. Një javë më vonë, para pauzës ndërkombëtare Shkëndija fitoi 2:1 transfertën me Rabotniçkin, duke marrë triumfin e parë sezonal jashta Tetovës. Pauza kampionale erdhi në moment të duhur për kuqezinjtë që fituan kohën e nevojshme për rikuperimin e disa futbollistëve të lënduar. Mungesën e ndeshjeve stafi teknik e kompensoi me takim miqësorë me Prishtinën në Tetovë, ku u shans për të luajtur kishin më shumë futbollistë, përfshi edhe disa të rinjë nga kategoritë e reja.

Të rejat në skuadër
Egzon Bejtullai pritet të jetë përforcim i madh për skuadrën, pasi mbrojtësi reprezentues është rikuperuar pas lëndimit dhe duket i gatshëm për t’u rikthyer, megjithëse vendimi përfundimtar për aktivizimin e tij do të merret në konsultim me ekipin mjekësorë. Ashtu si Bejtullai që humbi disa ndeshje, nga situatë e ngjashme kthehet edhe Marjan Radeski. Në takimin e fundit me Rabotniçkin në dëmtime u ankuan Armend Alimi dhe Mevlan Murati dhe si pasojë disa ditë punuan ndaras prej grupit dhe me intensitet më të ulët. Fatmirësisht pauza kampionale ishte e majftueshme për rikuperim dhe të dy futbollistët tashmë disa ditë kanë punuar me intensitet të plotë.

Kundërshtari
Pas startit të mirë të këtij sezoni Renova ka hyrë në krizë rezultatesh dhe për momentin me 15-të pikë të tubuara bashkë me Borecin ndajnë pozitën e parafundit në renditje. Xhepçishtasit momentalisht janë në seri prej gjashtë ndeshjeve kampionale pa fitore, ndërsa bashkë me barazimin e Kupës me Tikveshin numri i ndeshjeve pa triumf shkon në shtatë. Për herë të fundit Renova ka fituar më 29 shtator kur në Tetovë fitonin 2:1 Borecin.

⚽️ Alimiiiiiiiii 🔥🔥

Posted by KF Shkëndija on Wednesday, September 18, 2019

Dueli i parë i këtij sezoni ndërmjet Shkëndijës dhe Renovës u takoi kuqezinjëve që me dy gola të vonshëm (Alimi 87′ dhe B. Ibraimi pen. 90′) fituan 2:0.

Përballja e xhiros së 15-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut ndërmjet Shkëndijës dhe Renovës luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 13:00. 

Share Now

Related Post