PREVIEW | Shkëndija vs Renova

No image

Xhiroja e 27-të në LPFM sjell duelin lokal ndërmjet Shkëndijës dhe Renovës që luhet të dielën në Tetovë nga ora 15:30.

Me 10-të ndeshje deri në mbyllje të sezonit në LPFM kuqezinjtë kanë 10-të pikë më shumë se ekipi i vendit të dytë në renditje, ndërsa skuadra ka realizuar 10-të gola në serinë momentale që numëron katër fitore të njëpasnjëshme. Rabotniçki, Sileksi, Pobeda dhe Akademia Pandevi janë rivalët e dorëzuar para kuqezinjëve në katër xhirot e fundit, tre prej të cilave janë mbyllur pa gol të pranuar. Kjo tregon se forma e ekipit është në ngritje, pasi paralel me kthimin e golave në të njejtën kohë edhe mbrojtja mban ritmin e duhur. Pas triumfit të fundit në fushë të Akademia Pandevit ekipi të enjten kishte ditë të lirë, ndërsa të premten dhe të shtunën u punua me Renovën në ‘menu’.

Të rejat në skuadër
Kostadin Zahov është mungesa e rëndësishme në formacionin kuqezi për duelin me Renovën. Gardiani mbeti i lënduar të mërkurën kundër Akademia Pandevit dhe përkundër angazhimit të ekipit mjekësorë ai nuk ka mundur të rikuperohet në kohë për të konkuruar për sfidën e xhiros së 27-të. Zahov dëmtoi shpatullën pas një rënie të papërshtatshme në sfidën e të mërkurës. Në të njejtën ndeshje në dëmtim të kyçit të këmbës u ankua edhe Valmir Nafiu si dhe Armend Alimi që pësoi zgjatje të muskulit të kofshës së prapme të këmbës, mirëpo pasi humbën stërvitjen e të premtes gjendja e tyre është përmirësuar dhe të dy kanë zhvilluar seancën e fundit stërvitore, ndërsa për aktivizimin e tyre  stafi teknik do të vendosë para ndeshjes. Lojtarët tjerë janë të gatshëm dhe nuk kemi asnjë pezullim.

 

Kundërshtari
Skuadra nga Xhepçishti nuk njeh suksesin ndaj Shkëndijës saktë katër vite. Për herë të fundit Renova ka fituar përballë kuqezinjëve më 8 prill të vitit 2015 dhe prej atëherë Shkëndija ka fjalën kryesore kur numëron 10-të fitore dhe 6 barazime në 16-të duele mes veti prej të cilave 14-të në kampionat dhe dy në Kupë.
Renova në pranverë shfaq formë pozitive dhe katër fitore, 3 barazime dhe vetëm një disfatë në 8 ndeshje të zhvilluara kanë ngritur xhepçishtasit në pozitën e katërt në renditje. Momentalisht ekipet i ndajnë 23 pikë mes veti me Shkëndijën që fitoi duelin e fundit mes veti si ‘mysafire’ me shifrat 3:0. Dueli i parë kampional i kësaj kampanje u mbyll me barazim 2:2 dhe kuqezinjtë tashmë kërkojnë tjetër sukses për të vazhduar serinë pozitive dhe rrugëtimin drejt mbrojtjes së titullit.

Dueli ndërmjet Shkëndijës dhe Renovës luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 15:30.