PREVIEW | Shkëndija vs Rabotniçki

No image

Të mërkurën sërisht pa praninë e publikut do të luhen ndeshjet e Ligës së Parë, me Shkëndijën që në kuadër të xhiros së 23-të pret Rabotniçkin në Tetovë.

Kampionati elitar vendor vijon edhe në mesjavë me përballjet e rradhës, kur në program do të jetë xhiroja e 23-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Shkëndija në Tetovë do të luajë kundër Rabotniçkit, në një tjetër takim që do të zhvillohet pa praninë e publikut, pasi me rekomandim të Qeverisë së vendit nuk lejohet prania e tifozëve në eventet sportive në 30-të ditët e ardhshme, shkaku i masave parandaluese për përhapjen e korona virusit.

Të rejat në skuadër

Kuqezinjtë shikojnë përpara për t’u kthyer në rrugën e fitores, pasi u mundëm në fundjavë në transfertën në Veles. Armend Alimi dhe Gledi Mici janë dy mungesat e mëdha shkaku i pezullimit me nga një ndeshje pas kompletimit të pesë kartonave të verdhë në sfidën e të dielës me Borecin, ndërsa rikthehet në skuadër Ennur Totre, që humbi sfidën e fundit për arsye të njejta.

Kundërshtari

Rabotniçki vazhdon të manifestojë formë shumë të mirë në gjysmësezonin pranveror, përkundër faktit se ndërkohë në këtë periudhë u eliminuan nga Kupa e Maqedonisë së Veriut pikërisht nga Shkëndija. Në kampionat Rabotniçki mbetet ekipi me efektin më të mirë në katër xhirot e para të pjesës pranverore kur nga 12 pikë të mundshme kanë grumbulluar 10 (fitore me Strugën, Shkupin dhe A. Pandev, ndërsa barazim me Vardarin). Përballja me Shkëndijën vjen vetëm një javë pasi u përballëm mes veti në Shkup, kur në kuadër të Kupës kuqezinjtë kishin dominim të plotë dhe avansuam më tej pas barazimit 2:2 (kualifikohemi për efektin e më shumë golave si mysafir, pasi në Tetovë ndeshja ishte mbyllur 1:1). Bilansi kohëve të fundit flet për kuqezinjtë, që nuk njohin humbjen nga ky rival në 15-të ndeshje me rradhë në kampionat dhe Kupë.

Përballja Shkëndija-Rabotniçki luhet të mërkurën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 14:00. Prania e publikut është e ndaluar, ndërsa takimi do të mund të ndiqet në transmetim direkt në MTV dhe Arena Sport.

Share Now

Related Post