PREVIEW: Shkëndija vs Rabotniçki

No image

Kuqezinjtë duan të shkojnë me tre pikë në pauzën dy javore të kampionatit dhe me ambicie për fitore presin duelin e të shtunës me Rabotniçkin në Tetovë.

Shkëndija kërkon të rikthehet në rrugën e fitores. Futbollistët duken të bindur për të reaguar pas dështimit të xhiros së shkuar dhe tashmë vëmendja është kthyer për të fituar duelin e rradhës. Kuqezinjtë të shtunën do të luajnë në Tetovë me Rabotniçkin dhe stafi teknik gjithë javën ka punuar për të pritur sa më të përgatitur duelin me ekipin shkupjan. Pas këtij dueli pason pauza kampionale shkaku i ndeshjeve të ekipeve përfaqësuese dhe Shkëndija pretendon të ruajë distancën me kundërsharët apo ta zgjerojë të njejtën.

Të rejat në skuadër
Armend Alimi dhe Mevlan Murati kthehen në kombinim për lojë, pasi munguan në ndeshjen e kaluar shkaku i pesë kartonave të verdhë. Për arsye të njejta tash mungon Besmir Bojku, mirëpo për stafin teknik lajm pozitiv paraqet kthimi i kapitenit dhe mbrojtësit të djathtë. Futbollistët tjerë janë të gatshëm për lojë, përjashtuar Radeskin që ushtron me intensitet maksimal por stafi teknik ende nuk don të rrezikojë me aktivizimin e tij dhe Besart Ibraimin që vazhdon fazën e rikuperimit pas operimit të ligamenteve.

Kundërshtari
Rabotniçki vjen në Tetovë me seri negative, pasi në katër xhiro pranverore kanë vetëm një fitore, dy herë kanë barazuar, ndërsa u mundën në fushë të tyre javën e shkuar nga Akademia Pandev. Pesë pikë të fituara nga 12-të të mundshme janë pak për një skuadër që pretendon Evropën dhe ‘romantikët’ vijnë në  Tetovë në kërkim të kthesës në rezultate. Tradita flet për kuqezinjtë që janë në seri prej gjashtë fitoreve të njëpasnjëshme kundër këtij rivali në kampionat. Këtë sezon Shkëndija ka fituar të dy duelet me Rabotniçkin, 6:2 në Tetovë dhe 2:1 në Shkup. Tash kërkohet suksesi i rradhës që do të ishte fitorja e 15-të për kuqezinjtë në këtë kampanjë ku kërkohet mbrojtja e titullit të kampionit.

Shkëndija-Rabotniçki luhet të shtunën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 14:30.