PREVIEW | Shkëndija vs Makedonija Gj.P.

No image

Xhiroja e 29-të në LPFM të shtunën në orën 16:00 Shkëndijës i sjell përballje si vendas përballë Makedonija Gj.P..

Tetë xhiro deri në fund të kampionatit me 12-të pikë epërsi Shkëndija ka nevojë për katër fitore për të siguruar matematikisht titullin e kampionit. Dy javë pas triumfit kundër Renovës, kuqezinjtë rikthehen të luajnë në Tetovë në kërkim të vazhdimit të serisë pozitive që e ka afruar skuadrën pranë titullit kampion. Pesë fitoret e njëpasnjëshme u pasuan me barazim pa gola në fushë të Vardarit xhiron e fundit dhe tashmë kërkohet starti i një serie të re të fitoreve. Makedonija Gj.P. është rivali i xhiros së 29-të dhe stafi teknik gjithë javën me ekipin kanë punuar për të pritur të gatshëm këtë sfidë.

Të rejat në skuadër
Valmir Nafiu dhe Kostadin Zahov janë dy mungesat e trajnerit Qatip Osmani për sfidën e rradhës, bashkë me Besart Ibraimin që shkaku i operimit të ligamenteve një kohë të gjatë është jashta kombinimit, megjithëse ka hyrë në fazën e fundit të rehabilitimit. Zahov dëmtoi ligamentin e shpatullës në transfertën me Akademia Pandevin dhe ende nuk është gati për lojë. Nafiu në sfidën e fundit me Vardarin kompletoi 5 kartona të verdhë që automatikisht e pezullojnë për sfidën e rradhës.

Lajm i mirë për stafin teknik është rikthimi i mbrojtësit Egzon Bejtullai, i cili shkaku i një dëmtimi të natyrës më të lehtë mungoi në sfidën e fundit.

Kundërshtari
Në 10-të ndeshje kampionale në pranverë Makedonija Gj.P. ka pësuar vetëm dy disfata, mirëpo në të njejtën kohë numërojnë vetëm 3 fitore, pasi pesë ndeshje kanë përfunduar me rezultat të barabartë. Këtu shtojmë dy fitore identike 1:0 kundër Bellasicës në gjysmëfinale të Kupës që skuadrës nga paralagja e Shkupit i sollën kualifikim në finalen e madhe. Kjo do të jetë përballja e katërt ndërmjet Shkëndijës dhe Makedonija Gj.P. në këtë kampanjë, e dyta në Tetovë dhe kuqezinjtë kërkojnë fitoren e dytë. Në Shkup dy ndeshjet sollën barazime (0:0 dhe 1:1), ndërsa në Tetovë kuqezinjtë fitonin 5:1.  Vlen të ceket se në historinë më të re kuqezinjtë nuk njohin disfatë nga skuadra shkupjane në 12-të duelet e fundit mes veti.

Ndeshja ndërmjet Shkëndijës dhe Makedonija Gj.P. luhet të shtunën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 16:00.