PREVIEW | Renova vs Shkëndija

No image

Kuqezinjtë kërkojnë të mbyllin me fitore gjysmësezonin vjeshtorë në LPFM kur të dielën në Tetovë cilësi të mysafirit përballen me Renovën.

Shkëndija ka të sigurtë dimërimin në pozitën e parë të renditjes tabelare, por duke ditur se titujt fitohen kur mbetesh lider në fund të sezonit kuqezinjtë kërkojnë ta mbyllin me fitore gjysmësezonin vjeshtor. Rivali lokal Renova është kundërshtari që servon xhiroja e 18-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë dhe skuadra e Qatip Osmanit kërkon ta mbyllë me tre pikë. Dështimi në mesjavë me Akademia Pandevin ndërpreu serinë e kuqezinjëve me shtatë fitore të njëpasnjëshme, por sfida kundër gjipspunuesve jep mundësi eksprese për reagim që do të tregonte se ajo ndeshje ishte vetëm një ditë e keqe.

Të rejat në skuadër

Ndeshja e të mërkurës me Akademia Pandevin dha sinjale se kuqezinjtë mbase ndjejnë lodhjen e rritmit të ngjeshur të ndeshjeve dhe të premten e të shtunën është punuar me sytë nga përballja me Renovën. Jashta kombinimit mbetet mbrojtësi Egzon Bejtullai, i cili kishte tronditje në kokë pas përplasjes me lojtarin kundërshtarë të mërkurën dhe si pasojë nuk mundi të luante minutat e fundit të takimit. Gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm, por jo mjaftueshëm për të konkuruar për lojë kundër Renovës. Prej më parë dihet se mungojnë me gjatë Ibraimi, Junior dhe Radeski.

 

Kundërshtari

Renova në sfidën e të dielës vjen pas barazimit të mesjavës 1:1 në fushë të Shkupit, ndërsa nuk njohin fitoren në tre përballjet e fundit kur numjërojnë dy barazime dhe një disfatë. Përkundër këtij fakti, xhepçishtasit gëzojnë formë të mirë dhe në shtatë përballjet e fundit në kampionat humbjen e vetme e kanë tre xhiro më parë në transfertën me Bellasicën. Por kur në pyetje janë duelet mes veti, kuqezinjtë janë në përparësi të madhe pasi Shkëndija nuk mundet në 15-të duelet e fundit me Renovën në të cilat ka bilans prej 9 fitoreve dhe 6 barazimeve. Sfida e parë e këtij sezoni u mbyll me barazim 2:2 dhe tashmë skuadra duken për përplasjen e rradhës kur Renova është vendase, ndërsa Shkëndija kërkon vazhdimin e serisë pozitive.

Përballja ndërmjet Renovës dhe Shkëndijës luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 13:00.  ​