PREVIEW | Rabotniçki vs Shkëndija

No image

Me seri pozitive prej dy fitore dhe një barazim pa gol të pranuar në tre ndeshjet e fundit, Shkëndija të dielën si udhëtuese përballet me Rabotniçkin në duelin e xhiros së 14-të në LPFMV.

Kuqezinjtë synojnë fitore në fushë të Rabotniçkit për të shkuar në pauzën ndërkombëtare me pozitën e tretë të përforcuar dhe me shpresë për t’iu afruar edhe më shumë kreut. Fakti që kjo mesjavë për dallim nga disa të kaluarat nuk kishte në program ndeshje kampionale apo të Kupës, ishte mundësi që futbollistët dhe stafi teknik të kenë më shumë kohë në dispozicion për t’u përgatitur për ndeshjen e rradhës. Skuadra duket se kap rritmin e duhur kur në tre ndeshjet e fundit ka koleksionuar 7-të pikë nga 9-të të mundshme (fitore me 3:0 Sileksin dhe 4:0 ndaj Borecit, si dhe barazim 0:0 me Makedonija Gj.P.), ndërsa ekipi shfaq siguri në lojë kur futbollistët menaxhuan të shënojnë shtatë gola dhe mos të pranojnë asnjë. Trajneri Gjoka gjithë javën ka punuar për takimin me Rabotniçkin ku kërkohet të vazhdohet seria pozitive me fitoren si objektiv kryesor.

 

Të rejat në skuadër
Egzon Bejtullai dhe Marjan Radeski janë mungesa të rëndësishme në formacionin kuqezi për takimin me Rabotniçkin dhe fakti që dy lojtarët vuajnë lëndimet i ka lënë të dy edhe jashta kombinimit për dy ndeshjet e rradhës eliminatore të përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut. Pa lojtarë tjerë të dëmtuar e pezulluar, trajneri Gjoka tashmë ka në plan formacionin që do të nisë sfidën e xhiros së 14-të.

 

Kundërshtari
Rabotniçki zhvillon një sezon nën çdo nivel, pasi skuadra që vite me rradhë ishte përfaqësues i vendit në Kupat e Europës, tani takimin me Shkëndijën e pret nga pozita e fundit në renditje. Më shumë se vendi në renditje, ‘romantikët’ i brengos forma që tregojnë në këtë periudhë kur në 13-të xhirot paraprake numërojnë 8 disfata, 2 barazime dhe vetëm tre fitore. Nëse Shkëndija ec mirë tre xhirot e fundit, Rabotniçki është në seri prej katër takimeve pa fitore, duke humbur tre ndeshje rresht para se të barazonin xhiron e shkuar në fushë të Akademia Pandevit. Dueli i parë i këtij sezoni ndërmjet dy ekipeve i takoi Shkëndijës që mundi Rabotniçkin 3:0 në Tetovë dhe tash kuqezinjtë synojnë të përsërisin këtë sukses për të vazhduar ngjitjen në renditje.

Rabotniçki-Shkëndija luhet të dielën në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup me fillim në orën 13:00.