PREVIEW | Rabotniçki vs Shkëndija

No image

Transferta e të shtunës me Rabotniçkin mund të mbyllë matematikisht garën për titullin e kampionit, me kusht që Shkëndija të fitojë, ndërsa Vardari mos del me tre pikë nga fusha e Shkupit.

Kuqezinjtë janë fare pranë mbrojtjes së titullit kampion në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, pasi pesë xhiro deri në fund kanë nevojë edhe për 4 pikë për të mbyllur matematikisht llogaritë për vendin e parë. Me 11 pikë më shumë se Vardari i vendit të dytë, Shkëndija mund të mbyllë garën për titull edhe këtë fundjavë, me kusht që të fitohet transferta me Rabotniçkin dhe ndërkohë Vardari mos triumfojë në takimin me Shkupin në Çair. Këto janë matematikat, por në kampin kuqezi momentalisht vëmendja qëndron larg gjërave të tilla, pasi përqendrimi maksimal vazhdon të mbetet te puna e skuadrës dhe përcaktimi për të vazhduar me performansat pozitive. Triumfi bindës 5:1 kundër Shkupit të shtunën e kaluar është lënë pas dhe ekipi gjithë javën ka punuar me Rabotniçkin në ‘meny’.

Të rejat në skuadër
Futbollistët duken të bindur për të vazhduar serinë pozitive kundër Rabotniçkit, megjithëse të gjithë kanë parasysh se përballë do të jetë një skuadër cilësore që në çdo moment mund të reagojë pas serisë negative. Fillimi i javës u shfrytëzua për rikuperim të forcës, ndërsa dy ditët e fundit stafi teknik punoi në përgatitje të lojës anti-Rabotniçki. Me portierin Kostadin Zahov dhe sulmuesin Besart Ibraimi jashta kombinimit shkaku i dëmtimeve, mungesë e rëndësishme është mbrojtësi Egzon Bejtullai që doli me karton të kuq në sfidën e fundit kampionale. Në skuadër kthehet Stenio Junior që humbi takimin me Shkupin shkaku i pesë kartonave të verdhë.

 

 

Kundërshtari
Para ngjitjes së Shkëndijës në majat e futbollit vendor, pikërisht skuadra e Rabotniçkit ishte dominuese dhe ekipi që përfaqësonte vendin më denjësisht në arenën ndërkombëtare. Pavarësisht kësaj kuqezinjtë kanë vendosur një dominim të theksuar në duelet mes veti kundër Rabotniçkit, madje kohëve të fundit nuk kanë qenë të rralla fitoret bindëse, si rezultatet tenistike 6:2 në dy raste, shtuar triumfe tjera 4:2, 3:0 e 3:1. Shkëndija disfatën e fundit nga Rabotniçki e ka pësuar më 5 prill të vitit 2017 dhe prej atëherë në më shumë se dy vite kuqezinjtë numërojnë 7 fitore dhe tre barazime në dhjetë ndeshje, prej të cilave 8 kampionale dhe 2 të Kupës. Tre përballjet e sezonit aktual sollën 9 pikë për Shkëndijën që kërkon të mbajë efektin 100% ndaj Rabotniçkit edhe pas duelit të katërt. Romantikët në këtë sfidë hyjnë me një ecuri shumë negative pasi kanë humbur tre duelet e fundit në kampionat dhe futbollistët kuqezi janë të vetëdijshëm se pikërisht në këtë sfidë kundërshtari do të kërkojë të reagojë. Ndryshe Rabotniçki përfundimisht mbetet i lidhur ngushtë me historinë e Shkëndijës, pasi dy trofetë e parë në kampionat dhe Kupë kuqezinjtë i siguronin pikërisht në duelet me këtë skuadër. 17 maj i vitit 2011 theksohet me shkronja të arta në historinë e Shkëndijës pasi fitorja 2:1 në Tetovë kundër Rabotniçkit i bëri kuqezinjtë matematikisht kampionë të vendit për herë të parë në histori. Ndërkohë më 16 maj të vitit 2016 Shkëndija për herë të parë fitonte trofeun e Kupës dhe triumfi erdhi pas suksesit 2:0 në finalen përballë Rabotniçkit. Ndoshta është rradha për histori të re dhe dy ekipet kanë 90-të minutat e të shtunës për të dhënë më të mirën.

Dueli ndërmjet Rabotniçkit dhe Shkëndijës luhet të shtunën në stadiumin ‘Toshe Proeski’ në Shkup me fillim në orën 16:00.