PREVIEW: Botoșani VS Shkëndija

No image

Shkëndija kthehet të luajë në Europë kur të enjten ndeshet me Botoșanin e Rumanisë në raundin e dytë eliminator të UEFA Europa League.

• Kuqezinjtë gati për ndeshjen e 38 në Kupat e Europës
• Përballë FC Botoșani kërkohet raundi i tretë eliminator 
• Takimi luhet në orën 18:45 sipas kohës lokale në Rumani

Të enjtën në “Botoșani Municipal Stadium” në Rumani kuqezinjtë do të zhvillojnë ndeshjen e 38-të në Kupat e Europës. Si lider të renditjes pas 5-së xhirove në skenën vendore, Shkëndija kërkon suksesin e rradhës europian përballë FC Botoșanit. Skuadra gjithë javën ka punuar në fushë dhe analiza pikërisht për rivalin e rradhës dhe të enjten nga ora 18:45 (17:45 sipas kohës tonë lokale) në fushë mysafire do të kërkohet rezultati që na kualifikon në raundin e tretë eliminator të UEFA Europa League. 

Të rejat në skuadër

Shkëndija përballjen me Botoșanin e siguroi pasi fitoi 2:0 në trasfertë Sumqayit FC të Azerbajxhanit. Në raport me atë ndeshje, përforcim i madh për skuadrën do të jetë prania e mesfushorit Armend Alimi, i cili humbi ndeshjen europiane me Sumqayit FC dhe atë kampionale me Borecin pasi rezultoi pozitiv në COVID-19. Pa asnjë lojtarë të lënduar apo pezullim, trajneri Gjoka llogarit në të gjithë futbollistët për këtë përballje.

Kundërshtari

FC Botoșani vjen në raundin e dytë pasi në start eliminoi Ordabasyn e Kazakistanit me një fitore 2:1 në fushë të këtyre të fundit. Kjo është pjesëmarrja e dytë e Botoșanit në Kupat e Europës pas vitit 2016 dhe njejtë si herën e parë edhe tani arrijnë të kalojnë raundin e parë. Bëhet fjalë për skuadër të formuar 19-të vite me parë (2001), debutuan në elitën e futbollit rumun në vitin 2013, ndërsa sezonin e kaluar siguruan daljen e dytë në Europë pasi u ndalën në vendin e katërt në kampionat. Përballja FC Botoșani-Shkëndija zhvillohet të enjten në “Botoșani Municipal Stadium” me fillim në orën 17:45 sipas kohës tonë lokale, ndërsa do të transmetohet direkt në Super Sport të platformës Digitalb.

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME