PREVIEW | Boreci-Shkëndija

No image

Kuqezinjtë të shtunën përballen me Borecin në Veles në duelin e xhiros së katërt në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut.

Shkëndija do të luajë si udhëtuese për herë të tretë në katër xhirot e para të sezonit të ri në LPFMV, pasi sfida e rradhës kuqezinjtë i vendos përballë Borecit në Veles. Dueli me anëtarin e ri në elitën e futbollit vendor do të jetë mundësi për të shënuar fitoren e parë në këtë kampanjë, pasi tre xhirot e kaluara sollën 2 disfata dhe një barazim për kuqezinjtë. Stafi teknik dhe futbollistët janë të vetëdijshëm se rezultatet e deritashme janë të patolerueshme dhe duke u bazuar në punën që ka bërë skuadra brenda javës pritet reagim i duhur në takimin që luhet të shtunën në orën 16:30.

Të rejat në skuadër
Asnjë mungesë në formacionin kuqezi, qoftë për pezullim apo lëndim. Trajneri Osmani ka të shëndoshë gjithë futbollistët dhe prej tij varet përzgjedhja që do të bëjë për këtë ndeshje. Ekipi ka punuar mirë për të sjellë triumfin e parë sezonal, për më shumë që pas ndeshjes me Borecin pason pauza kampionale shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare të ekipeve përfaqësuese dhe kjo periudhë do të shfrytëzohet për riuperim fizik dhe psiqik para vazhdimit të kampionatit në xhiron e pestë.

Kundërshtari
Boreci është kthyer në elitën e futbollit të Maqedonisë pas më shumë se 18-të viteve, pasi për herë të fundit në kategorinë më të lartë të futbollit në vend kishte luajtur në sezonin 2000/2001. Pikërisht në atë kampanjë datojnë dy përballjet e vetme mes dy skuadrave në kategorinë elitare, me Shkëndijën që kishte fituar 3:0 në Tetovë, ndërsa sfida në Veles i ka takuar Borecit me rezultatin 1:0.
Rikthimi në elitë nuk ka qenë aspak i lehtë për Borecin që ende nuk ka shënuar golin e parë, derisa në tre takime regjistrojnë 2 humbje dhe një barazim pa gola.

Takimi Boreci-Shkëndija luhet të shtunën në stadiumin e qytetit në Veles me fillim në orën 16:30.