Preview | Akademia Pandev vs Shkëndija

No image

Shkëndija të shtunën luan transfertën me Akademia Pandevin në kërkim të suksesit që do të linte pas dështimin e mesjavës kundër Pobedës. Sfida e xhiros së 8-të luhet në Turnovë me fillim në orën 15:00.

Kuqezinjtë nuk kanë kohë për të vuajtur një hap fals, pasi seria e ngjeshur me ndeshje kërkon rikuperim të shpejtë. Liga e Parë e futbollit të Maqedonisë të shtunën sjell ndeshjet e xhiros së 8-të dhe skuadra ynë do të jetë e angazhuar si mysafire te Akademia Pandevi. Pas ndeshjes të së mërkurës stafi teknik përveç aspektit fizik dhe tekniko taktik, paralel ka tentuar të rikthejë ekipin psiqikisht për të mos lejuar humbja me Pobedën të ketë ndikim për sfidat që pasojnë. Ekipi pasi realizoi seancën stërvitore në Tetovë, që sonte (e premte) ka udhëtuar drejt Strumicës ku do të presë takimin që do të luhet në stadiumin në Turnovë.

➡️ MaYa.mk

Të rejat në skuadër

Samir Fazli është risia më e madhe në listën e futbollistëve të grumbulluar për këtë përballje. Pasi morri dritë të gjelbërt nga FIFA, sulmuesi është federuar si lojtar i ri i Shkëndijës dhe menjëherë ka hyrë në kombinim për sfidën me Akademia Pandevin.

Ndryshe trajneri Osmani detyrimisht duhet të bëjë ndryshime në formacion, pasi me pesë kartona i pezulluar është Visar Musliu, ndërsa edhe këtë ndeshje do të pauzojë Remzifaik Selmani (i pezulluar me dy ndeshje pas kartonit të kuq para dy xhirove me Sileksin). Izair Emini mbetet në dyshim shkaku i lëndimit, ndërsa ngadalë kthehet Mevlan Murati që me gjasa do të jetë në kombinim.

Kundërshtari

Akademia Pandev ashtu si sezonin e kaluar debutues në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, edhe sivjet shënon start pozitiv të kampanjës. Deri të mërkurën shihnin veten lider të renditjes, mirëpo humbja 2:0 në fushë të vet nga Renova i zbret nga kreu. Në shtatë xhiro kanë shënuar pesë fitore dhe dy disfata dhe për momentin me 15-të pikë mbajnë pozitën e dytë (Shkëndija momentalisht është e treta me 14-të pikë). Sezonin e kaluar për herë të parë në histori ndodhën përballje ndërmjet Akademia Pandevit dhe Shkëndijës dhe në katër takime dy herë fitonin kuqezinjtë, një triumf regjistroi ekipi nga Strumica, ndërsa përballja e fundit është mbyllur baraz 2:2.

Sfida Akademia Pandev-Shkëndija luhet të shtunën në stadiumin në Turnovë me fillim në orën 15:00.