PRESS | Selimi dhe Cuculi: Jemi këtu për të mbrojtur trofeun

No image

Trajneri Erhan Selimi dhe kapiteni Ardian Cuculi kanë reflektuar optimizëm në press konferencën zyrtare para finales së Kupës të mërkurën në orën 17:00 kundër Pelisterit në Strumicë.

Shkëndija ka përfunduar aktivitetet në drejtim të mbrojtjes së trofeut të Kupës së Maqedonisë. Një ditë para finales kundër Pelisterit, Federata e futbollit të Maqedonisë si organizatore e ndeshjes organizoi press konferencën e përbashkët dhe zyrtare të skuadrave finaliste të Kupës. Trajneri Erhan Selimi dhe kapiteni Ardian Cuculi duke përfaqësuar Shkëndijën në takimin me media reflektuan optimizmin që mbizotëron në ekip, duke paralajmëruar lojë për fitore.

“Mendoj dhe pres që nesër të kemi përkrahje të madhe nga “Ballistët”. Ne jemi të përgatitur maksimalisht për këtë finale dhe besoj se ne do të jemi ata që do ti gëzohemi kësaj finale. Me angazhim maksimal, me realizimin e urdhërave që lojtarëve do tu jepen nga stafi teknik, besoj të jemi fitues dhe për herë të dytë ta fitojmë trofeun e Kupës dhe sërish ta kthejmë trofeun në Tetovë“, u shpreh trajneri Erhan Selimi.

“Takohen dy ekipe kualitative, pres ndeshje interesante në finale. Në ndeshje të këtilla nuk fiton gjithmonë më i miri, por ai që këtë e tregon në fushë. Besoj se ne do jemi në nivel dhe do të tregojmë lojën e pritur. Apeloj deri te tifozët për mbështetje korekte, të na përkrahin ashtu si ata dinë dhe besoj se Kupën do ta kthejmë sërish në Tetovë“, deklaroi Ardian Cuculi.

Kujtojmë se Shkëndija siguroi kualifikim në finale të Kupës pasi në gjysmëfinale eliminoi Vardarin me rezultat të përgjithshëm 3:2, ndërsa në rrugën drejt finales pa asnjë gol të pranuar u eliminuan Shkupi, Rabotniçki dhe Golemo Konjari.

Skuadra e Shkëndijës të mërkurën zhvilloi një seancë stërvitore në Tetovë dhe më pas është transferuar në Strumicë ku do të presë takimin. Përballja finale e Kupës, Shkëndija-Pelisteri luhet të mërkurën në stadiumin “Mlladost” në Strumicë me fillim në orën 17:00.