Press para takimit Sheriff T.-Shkëndija

No image

“Kemi epërsi minimale që nuk na garanton asgjë, prandaj do hyjmë në lojë për të dhënë maksimumin në kërkim të kualifikimit”, u shpreh trajneri Osmani, ndërsa kapiteni Alimi shtoi: “Na pret ndeshje e vështirë, por ne jemi të vendosur të japim më të mirën”.

Kuqezinjtë të martën në mbrëmje hyjnë me epërsi minimale 1:0 në transfertën me Sheriff Tiraspolin e Moldavisë në betejën e dytë që do të përcakojë fituesin e këtij dueli të vlefshëm për kalim në turin e tretë të eliminatoreve të Champions League. Pak para seancës stërvitore në stadiumin ku do të luhet ndeshja, trajneri Qatip Osmani dhe kapiteni Armend Alimi kanë folur para mediave moldave në konferencën zyrtare për shtyp.


“Na pret ndeshje e vështirë me kundërshtar kualitativ. Vijmë me epërsi 1:0 nga ndeshja e parë, por kjo nuk don të thotë asgjë pasi në lojë është edhe një përballje ku mund të ndodh gjithçka. Ne do të hyjmë për të dhënë më të mirën, të luftojmë në maksimumin e forcave tona për të marrë rezultatin e dëshiruar që do të na kualifikonte në raundin e tretë”, deklaroi trajneri Qatip Osmani.



“Kemi ardhur këtu për të treguar vlerat tona dhe e vetmja që mendojmë është të japim maksimumin. Është mirë që hyjmë me epërsi, por asesi nuk pretendojmë se kjo është e mjaftueshme. Ne kemi përvojë që na tregon se ndonjëherë nuk mjafton edhe epërsi shumë më e madhe se 1:0, prandaj secili prej futbollistëve në kokë ka të fiksuar se kjo betejë fitohet vetëm me qasje serioze, me dhënien e maksimumit në terren, koncentrim 100% gjatë gjithë lojës, minimizim të gabimeve dhe shfrytëzim të rasteve para portës kundërshtare”,
u shpreh kapiteni Armend Alimi.

Kuqezinjtë sonte nga ora 20:00 (ora 19:00 sipas kohës në Maqedoni) do të zhvillojë seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Sheriff Main Arena” ku të martën në orën 20:00 luhet ndeshja e kthimit e raundit të dytë të Champions League ndërmjet Sheriff Tiraspolit dhe Shkëndijës.