Press para sfidës me F91 Dudelange

No image

• Trajneri Osmani dhe Agim Ibraimi besojnë në përmbysje
• Gabimet të anizuara dhe mos të përsëriten
• Osmani: “Na duhet qetësi dhe realizim para portës”
• A. Ibraimi: “Detyrën tonë duhet ta bëjmë në fushë”

Trajneri Osmani dhe Agim Ibraimi folën para mediave në konferencën për shtyp para takimit të kthimit me F91 Dudelange.

Shkëndija ka mision të vështirë, por jo të pamundur në transfertën me F91 Dudelange të martën në Luksemburg. Kuqezinjtë kërkojnë përmbysje të negativës 1:2 nga ndeshja e parë në Shkup dhe brenda skuadrës ekziston besimi se ekipi është i aftë për të marrë rezultat që do të mundësonte avansimin në raundin e tretë të eliminatoreve të UEFA Europa League.

 

Qatip Osmani: “Pas ndeshjes së parë kemi analizuar takimin dhe konstatuam se ne humbëm shumë raste shënimi por thjesht fati nuk na deshti. Tash kemi sfidën e kthimit dhe asgjë nuk është e humbur. E kam thënë që pas ndeshjes së parë se Shkëndija do të kërkojë të anulojë negativën 1:2. Gjatë javës kemi punuar për të qenë në nivel për të fituar, ashtu që mendoj se jemi të vetëdijshëm edhe ne si staf teknik, por edhe lojtarët për rëndësinë e ndeshjes së nesërme”.

Agim Ibraimi: “Normal ne jemi profesionistë dhe jemi të vetëdijshëm se nuk ka përfunduar asgjë në ndeshjen e parë. Mendoj se eksperienca jonë duhet të bëjë diferencën. Kemi parë se në Shkup demonstruam lojë të mirë, këtë e panë edhe lojtarët e F91 Dudelange, mirëpo është rezultati që luan rol kyç në këto kompeticione dhe ne duhet tani aty të marrim atë që duam. Do hymë me bindje, me qetësi, kemi atmosferë shumë të mirë dhe as që dyshoj në triumfin tonë”.

Qatip Osmani: “Nesër më shumë se çdo gjë tjetër do të na duhet të kemi qetësi në lojë. E dyta është se në këto ndeshje europiane kemi shënuar vetëm nga penaltia. Mendoj se na duhet goli, një gol posaçërisht edhe në fillim të ndeshjes do të ndikonte për të kthyer vetëbesimin. Por mendoj se në ekip kemi lojtarë kualitativ, lojtarë që edhe individualisht dijnë ta zgjidhin lojën. Prandaj them se kundërshtari ka epërsi nga ndeshja e parë në Shkup, por edhe ne kemi llogaritë tona për të shkuar në raundin tjetër. Formacionin nuk e kemi vendosur, por nuk priten shumë ndryshime”.

Agim Ibraimi: “Detyrën tonë duhet ta bëjmë në fushë. Nëse zbatojmë detyrat që do të na japë stafi teknik, jemi ne ata që e vendosim lojën në terren. Normal se nuk është situatë e mirë kur mungon goli nga loja, por e përsëris se në këto kompeticione nuk ka lidhje nëse shënojmë nga penaltia apo gjuajtjet e lira, me rëndësi është të kalojmë në raundin e ardhshëm. Ne krijojmë shumë shanse, besoj nesër të jetë dita kur do të vijë në shprehje edhe realizimi. Personalisht besoj të kalojmë në raundin e tretë”.

Kuqezinjtë nga ora 18:00 u stërvitën në “Stade Josy Barthel” ku stafi teknik realizoi përgatitjet e fundit para takimit të nesërm (e martë) me F91 Dudelange që luhet me fillim nga ora 17:55.