Paqe në miqësoren me Vëllaznimin e Gjakovës

No image
Shkëndija dhe Vëllaznimi i Gjakovës janë ndarë me barazim 0:0 në takimin miqësorë të zhvilluar sot në Stadiumin e qytetit në Tetovë. Ndeshjes i parapriu takim mes presidentëve Visar Bexheti dhe Agim Cana.
Duke shfrytëzuar pauzën në kampionat shkaku i ndeshjeve eliminatore të ekipeve përfaqësuese dy ekipet kuqezi zhvilluan një miqësore vëllezërore përmes së cilës kompensuan mungesën e angazhimeve kampionale. Pas 90-të minutave lojë rrjetat mbetën të paprekura dhe në fund skuadrat u ndanë me barazim 0:0. Me mungesën e futbollistëve të angazhuar në përfaqësuese, trajneri Osmani u dha shans për të luajtur të gjithë futbollistëve që kishte në dispozicion, me atë që në formacionin startues me përjashtim të Eminit, u gjetën lojtarët që në kampionat kanë më pak hapsira për lojë. Sa i përket lojës, Shkëndija kishte një dominim të lehtë përballë një Vëllaznimi tejet të motivuar dhe luftarak.
Në pjesën e parë Emini kishte mundësitë më të mira, por gjuajtja e tij e parë u ndal në shtyllë, ndërsa e dyta u prit nga portieri mysafir. Në pjesën e dytë u kanosën Fazli, Ibraimi, Junior e Nafiu, mirëpo pa mundur të ndryshojnë rezultatin e fillimit. Përkundër mungesës së golave spektatorët e pranishëm u ndanë të kënaqur me futbollin e treguar nga dyja skuadrat.
Para ndeshjes kryesia e Shkëndijës priti në zyrat e klubit homologët e tyre nga skuadra gjakovare. Përveç se u fol për ndërrim përvojash dhe bashkëpunim më të ngushtë në të ardhmen, presidenti i Shkëndijës, Visar Bexheti dhe ai i Vëllaznimit, Agim Cana ndërruan mes veti dhurata që do të mbeten kujtim i këtij takimi. Ky shoqërim dy ditor u mbyll me darkë të përbashkët të dy skuadrave dhe kryesive.
SHKËNDIJA-VËLLAZNIMI 0:0
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Arbitër: Faton Mustafi
SHKËNDIJA: Rexhepi, Todorovski, Bojku, Çeshmexhiev, Merxhani, Husmani, Zejnullai, Berisha, Emini, Beqiri, Radeski.
Luajtën edhe: Iljazi, Murati, Mici, Totre, Alimi Junior, A. Ibraimi, Nafiu, Fazli.
Trajner: Qatip Osmani​