Osmani: “S’komentoj referimin, gabuam në pranimin e golave”

No image

Shkëndija sezonin e ri garues 2018/2019 në LPFM e nisi me barazim 2:2 kundër Vardarit, në një duel ku kuqezinjtë me të drejtë ndjehen të vjedhur nga ana e arbitrave. Ekipi tregoi karakter kur pas negativës 0:1 menaxhoi përmbysje të rezultatit në 2:1, mirëpo kjo nuk mjaftoi në fund për tre pikë. Përveç kriteriumit të çuditshëm të arbitrit kryesor dhe numrit të madh të kartonave të verdhë për lojtarët tanë, në sekondat e fundit të ndeshjes Shkëndija u dëmtua me një penalti të padhënë pas lojës me dorë të lojtarit kundërshtar në zonën e rrezikut. Gjithsesi trajneri Osmani pas ndeshjes nuk ka dashur të komentojë referimin, duke nxjerë në plan të parë karakterin e ekipit që gjeti forcë për përmbysje me 10-të lojtarë, ndërsa shton se ekipi nuk mbuloi mirë në pranimin e dy golave.

“Të dy golat e pranuar ishin pas gabimeve tona kur nuk u vendosëm si duhet në zonën e goditjes. Gjithsesi në pjesën e dytë u kthyem në lojë me golin e barazimit, ndërsa me dhjetë lojtarë arritëm të avansojmë. Nuk dua të komentoj referimin, pasi ka njerëz kompetent për një gjë të tillë. Në ndodhitë në fushë ndikuan shumë gjëra, lodhja e skuadrës pas ndeshjeve të vështira në Europë, kartonat e verdhë dhe provokimet gjatë gjithë takimit, por sigurisht se ka edhe gjëra pozitive që duhet veçuar, si karakteri i ekipit për të kthyer rezultatin pas negativës edhe atë me një futbollist më pak në fushë”, deklaroi pas ndeshjes trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani.