Osmani: Me rëndësi epërsia para ndeshjes së kthimit

No image

Shkëndija me epërsi 2:0 do të presë ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë kundër skuadrës Kit-Go nga Pehçeva. Duke parë formën e kuqezinjtëve dhe faktin që rivali vinte nga Liga e Dytë, ndoshta ishte pritur fitore më bindëse, mirëpo trajneri Qatip Osmani thekson se ekipi realizoi planin për të pritur takimin kthimit me epërsi.

“Para ndeshjes donim epërsi dhe fitorja 2:0 na jep atë që deshtëm pasi është rezultat i favorshëm. Dua të potencoj se në pjesën e parë humbëm disa mundësi të mira shënimi që dihej t’i kishim shfrytëzuar, ndërsa edhe më të dytën nuk u shfaqëm më nivelin e duhur në fazën e sulmit dhe realizimit. Janë gjëra që do t’i analizojmë dhe t’i flasim së bashku me lojtarët, për të qenë në nivel më të lartë në të ardhmen. Sigurisht se gjithmonë është më mirë të kesh rezultat sa më të lartë, por nuk duhet nënçmuar asesi ky triumf pa gol të pranuar. Plani ynë është të mos nënçmojmë asnjë skuadër, prandaj them se jam i kënaqur me këtë fitore. Luajtëm me formacion thuajse të kompletuar, pa llogaritur ndryshimin në portë dhe mungesat shkaku i lëndimeve dhe kjo tregon se ne respektuam kundërshtarin. Të njejtën qasje do ta kemi edhe në ndeshjen e kthimit dhe besoj se kjo do të na çojë në raundin e rradhës në Kupën e Maqedonisë”, deklaroi trajneri Qatip Osmani.

Tekniku kuqezi nuk fsheh kënaqësinë që pas startit të sezonit të ri me dy barazime, tashmë ekipi ka gjetur formën e duhur dhe fitorja e sotme kundër Kit-Go ishte e pesta me rradhë (Shkëndija mundi Bellasicën, Shkupin dhe Rabotniçkin në kampionat, ndërsa në kuadër të Kupës përveç rivalit të sotëm para një jave u mund edhe Kozhufi).

“Patjetër se më gëzon ecuria e ekipit. Fakti që kundër Kit-Go shënuam fitoren e pestë të njëpasnjëshme tregon se forma e skuadrës është në ngritje e sipër dhe ajo që duhet të bëjmë tani është vazhdimësia. Besoj se do të jemi të aftë të menaxhojmë gjërat si duhet dhe të vazhdojmë me këtë rritëm edhe në ndeshjet e rradhës”, përfundoi Osmani.