Osmani: Me këtë ritëm edhe në dy ndeshjet e mbetura

Kjo Shkëndijë e drejtuar nga Qatip Osmani duket e gatshme për të thyer limitet e deritashme në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. Triumfi 0:3 ndaj Renovës ishte i 28-i në këtë sezon, skuadra ka 32 pikë më shumë se ekipi i vendit të dytë dhe me 88-të të tilla xhiron e fundit pritet të kalojë kufirin e 90-të pikëve brenda një sezoni. Kuqezinjtë një xhiro para fundit kanë shënuar 97-të gola dhe vetëm tre realizime i ndajnë në shifrën e 100 golave në kuadër të një kampanje. Nuk ka si mos të jetë i kënaqur tekniku Qatip Osmani që përgatitet të dielën të ngrejë trofeun e dytë si kampion i Maqedonisë (pas atij në vitin 2011 poashtu me Shkëndijën), ndërsa më 23 maj synon edhe Kupën përballë Pelisterit.

“Sigurisht se jam i kënaqur me fitoren, me lojën bindëse dhe dua t’i përgëzoj futbollistët për paraqitjen dhe rezultatin”, u shpreh shefi i stafit teknik, Qatip Osmani, duke paralajmëruar angazhim për sukses edhe në dy takimet e fundit zyrtare të këtij sezoni.

“Shkëndija do të vazhdojë deri në fund të luajë ashtu si deri tani, dmth me fitore. Statistikat jo se nuk na interesojnë, por nuk janë në plan të parë. Kështu që Shkëndijës i mbeten edhe dy ndeshje me Pelisterin, njëra në kampionat dhe tjetra në finalen e Kupës. Sigurisht se jemi optimistë për t’i fituar të dy ndeshjet”, tha Osmani.

Tekniku kuqezi edhe një herë lëshoi apel në drejtim të publikut për të ardhur në numër sa më të madh të dielën e 20 majit kur Shkëndija edhe zyrtarisht do të pranojë trofeun për titullin e kampionit për sezonin garues 2017/2018.

“Shfrytëzoj këtë mundësi që në ndeshjen e fundit kampionale të ftoj sa më shumë publik të Shkëndijës në stadium. Si publiku, ‘Ballistët’ dhe gjithë tifozët tjerë të vijnë dhe ta bëjmë lojën e fundit festë të vërtetë, pasi edhe zyrtarisht Shkëndija në atë ndeshje do të pranojë trofeun e kampionit”, përfundoi tekniku Osmani.

Share Now

Related Post