Osmani: “Gjetëm efikasitetin që na kishte munguar”

Katër ditë, dy ndeshje, 180 minuta lojë dhe 8 gola të shënuar. Kjo është Shkëndija e momentit që triumfit të së enjtes 3:0 kundër Sileksit në Kratovë i bashkangjet goleadën 5:2 ndaj Pobedës në xhiron e 25-të në LPFM. Kampionët në start të gjysmësezonit pranveror panë veten në probleme me efikasitetin, por pas pauzës kuqezinjtë kthehen në ‘natyrën’ e tyre.

“Sigurisht se jam i kënaqur. Është e vërtetë se në start të gjysmëstinorit pranveror na mungonin golat. Sot ishim në nivel dhe shpresoj se edhe në ndeshjet e ardhshme Shkëndija të jetë në nivel të njejtë dhe të shënojë sa më shumë”, komentoi trajneri Qatip Osmani efikasitetin e skuadrës në fitores 5:2 kundër Pobedës.
Një triumf bindës i shoqëruar me lojë të bukur për sy nuk duhet të ketë hapsirë për kritikë, por tekniku kuqezi beson se skuadra ka segmente ku duhet të përmirësohet.
“Nuk duhej të ndodh të pranojmë gola, por kur rezultati është bindës ndodh të ketë rënie. Golin e parë e pranuam kur ishim në epërsi 3:0, goli i dytë erdhi kur rezultati ishte 5:1. Kur ke epërsi të lartë vetëvetiu krijohet siguri në skuadër ku bie koncentrimi dhe si rezultat pësojmë gol”.
Për shefin e stafit teknik arsye gëzimi nuk ishin vetem fitorja, tre pikët dhe efikasiteti i kënaqshëm. Osmani potencon rëndësinë e sulmuesit Marjan Radeski që kthehet ngadalë në formën e njohur pas pauzës prej 8 muajve si rezultat i operimit të ligamenteve.
“Gëzohem që Radeski kthehet në ekip dhe shpresojmë sa më shpejtë ta sjellim në formën optimale sepse bëhet fjalë për lojtar shumë të rëndësishëm për ekipin tonë. Shpresojmë se Radeski deri në fund të kampionatit të kthehet në formën që kishte para se të lëndohet”, tha Osmani, i cili më në fund shprehet i kënaqur me mënyrën si skuadra interpretoi lojën me shumë volum dhe kombinime.

“Mendoj se kur orientohemi në këto elemente, sigurisht se bazohesh në potencialin e lojtarëve që ke në skuadër. Shkëndija si kundër Sileksit ashtu edhe sot e bazoi lojën me pasime të shpejta dhe me kombinime. Në këto segmente ne jemi më të fortë dhe sigurisht se vetëvetiu krijohet ideja se ne duhet edhe në të ardhmen të insistojmë në këtë stil loje”, përfundoi Qatip Osmani.

Share Now

Related Post