Osmani: Gëzon qasja serioze e të rinjëve

No image

Shkëndija kthehet me tre pikë nga Koçani ku mundi Pobedën me shifrat 4:1. Takimi i xhiros së 33-të vendosi përballë kampionin dhe skuadrën e vendit të fundit dhe kjo u shfrytëzua nga trajneri Qatip Osmani që krahas Zahovit e B. Ibraimit të lënduar, la të lirë 13-të futbollistë (Murati, Bejtullai, Musliu, Mici, Totre, Alimi, Junior, Emini, A. Ibraimi, Nafiu dhe Fazli nuk udhëtuan fare, ndërsa Imeri e portieri Bekim Rexhepi u lanë në pankinë), ndërsa debutuan portieri Artan Iljazi dhe mbrojtësi i majtë Almir Rexhepi.
Gëzon fakti se lojtarët e rinjë që luajtën në këtë ndeshje treguan lojë të bukur, lojë të mirë e cila na jep shpresë se në të ardhmen mund të llogarisim te ata”, vlerëson paraqitjen e lojtarëve të rinjë trajneri Qatip Osmani, i cili lavdëron paraqitjen serioze të shpresave kuqezi. Në kushte kur titulli është siguruar prej më parë, tekniku zbulon formulën e motivimit të skuadrës për të rëmbyer fitore bindëse.
Motivi kryesor i tyre vetëvetiu është se u jepet shansi të luajnë në një ekip si që është Shkëndija. Edhe pse matematikisht kemi siguruar titullin te lojtarët e rinjë ekziston motivi për të treguar veten. Gjithmonë duhet të jetë kështu dhe e përsëris se unë si trajner jam i lumtur që futbollistët në këtë ndeshje kishin qasje maksimalisht serioze dhe si rezultat erdhi fitorja”, shtoi trajneri kuqezi.
Me karrierë të pasur si futbollist dhe suksese të shumta si trajner ku tashmë numëron pesë trofe (tre kampionate dhe nga një Kupë e Super  Kupë), Qatip Osmani për herë të parë sheh veten në situatë për të pasur luksin të luajë me formacion krejtësisht të ri në një sezon kur ekipi fiton titullin.
E kam thënë se diferenca që kemi na mundëson të kombinojmë formacionin dhe tu japim shans të luajnë gjithë futbollistëve, përfshi edhe disa lojtarë nga shkolla e futbollit. Të jesh kampion dhe të kesh shansin të luash me formacion të dytë apo edhe të tretë kisha thënë, tregon për madhështinë e një klubi. Ne filluam të kombinojmë formacionin prej para se të siguronim matematikisht titullin, por jo në masë si dy ndeshjet e fundit. Është kënaqësi të kemë mundësinë t’i shoh lojtarët e rinjë në ndeshje kampionale, sepse nuk është njejtë nëse luan miqësore apo takim kampional. Në të këtilla raste shihet cilësia dhe disa prej tyre na kanë bindur se me punë kanë të ardhme”, përfundoi Qatip Osmani.