Osmani: Disiplina dhe racionaliteti në lojë sollën fitoren bindëse

No image

Fitorja 3:0 përballë Renovës në ndeshjen e fundit kampionale në gjysmësezonin vjeshtor ka çuar Shkëndijën në kuotën e 40 pikëve, pesë më shumë se Vardari në vendin e dytë dhe 10-të pikë larg Akademia Pandevit që mban pozitën e tretë. Nafiu, Bojku dhe Imeri shënuan golat e triumfit të 12-të kampional dhe trajneri Qatip Osmani vlerëson mënyrën si reagoi skuadra pas hapit fals në mesjavë.
“Pas humbjes me Akademia Pandevin kishim kujdes për këtë ndeshje për arsye vetëbesimi, por megjithatë Shkëndija luajti taktikisht shumë mirë, maksimalisht e disiplinuar dhe si rezultat i gjithë kësaj erdhi fitorja bindëse”, thotë tekniku kuqezi, duke vijuar:
“Ishim racional në lojë. Nëse përjashtojmë fillimin e pjesës së dytë kur Renova na morri pak iniciativën, mendoj se gjithë ndeshjen ishim në nivelin e duhur si duhet të jemi gjithmonë”.
Me mungesa të rëndësishme si Ibraimi, Junior, Radeski dhe së fundmi edhe Bejtullain, gëzon fakti se në horizont me paraqitje pozitive shfaqen lojtarë të rinjë si Nafiu, Bojku, Imeri e Zejnullai.


“Sigurisht, janë lojtarë që edhe më parë jepnin sinjale të mira se janë lojtarë të vlefshëm për Shkëndijën. Këtë gjë ata e dëshmuan edhe sot dhe patjetër se më gëzon ky fakt”.
Në fund shefi i stafit teknik jep një vlerësim për gjysmëstinorin vjeshtor në LPFM, ku Shkëndija e mbyll e para me diferencë të kënaqshme para ndjekësve.

“Diferenca është pesë pikë, por kemi parasysh se është vetëm gjysma e parë e kampionatit dhe nuk duhet të mendojmë se kampionati është i kryer. Mbeten edhe ndeshjet tjera të gjysmëstinorit pranveror. Nëse bëjmë një rumbullaksim të shkurtë të kampionatit mendoj se Shkëndija ndoshta ka mundur të ketë ndonjë pikë më tepër. Kur them këtë mendoj në ndeshjet që humbëm këtu në Tetovë”, përfundoi trajneri Qatip Osmani, duke kërkuar nga skuadra të kthejë vëmendjen ka sfida e të mërkurës me Pobedën në Kupën e Maqedonisë.