Opinioni i trajnerit pas ndeshjes me A. Pandev

No image

Ernest Gjoka komplimenton skuadrën pas fitores 2:1 në fushë të Akademia Pandevit.

• Jam i kënaqur sepse mendoj se skuadra ka dhënë maksimumin
• Menaxhuam ndeshjen mirë përballë një kundërshtari shumë të fortë
• Transfertat në kampionatin maqedonas janë shumë të forta dhe shumë të rrezikshme
• Është vetëm një ndeshje, rruga është shumë e gjatë

Starti i gjysmësezonit pranveror me tre pikë ka lënë të kënaqur trajnerin Ernest Gjoka që lavdëron ekipin për paraqitjen dhe karakterin e treguar në fitoren 2:1 në fushë të Akademia Pandevit. Vendasit avansuan të parët me Milovanoviqin në minutën e 5-të, ndërsa Shkëndija përmbysi gjithçka me Alimin (22′) dhe A. Ibraimin (55′).

Ernest Gjoka: “Sigurisht jam i kënaqur sepse mendoj se skuadra ka dhënë maksimumin, ka menaxhuar ndeshjen mirë përballë një kundërshtari shumë të fortë. Mbi të gjitha të jesh në disavantazh dhe pastaj të kthehesh në fitore është diçka që një ekip si Shkëndija mund ta bëjë. Por sigurisht sot ishte një ndeshje shumë e mirë, shumë e luftuar dhe them që kemi bërë start shumë të mirë. Por është vetëm një ndeshje, rruga është shumë e gjatë“.

Ernest Gjoka: “Fituam më përmbysje, kjo është ajo që mundohemi të imponojmë, forca e karakterit, sepse ne cilësitë i kemi. Por sigurisht nëse do të vazhdojmë të luftojmë kështu siç luftuam sot, unë mendoj se do jemi në rrugë të mbarë. Kampionati është shumë i vështirë, ndeshjet janë shumë të vështira, transfertat në kampionatin maqedonas janë shumë të forta dhe shumë të rrezikshme. Por ne mendojmë se nëse do jemi të qetë dhe të qartë për atë që ne punojmë gjatë javës, për atë që diskutojmë gjatë javës, për atë që ne studiojmë kundërshtarin gjatë javës, unë mendoj se do jetë diçka pozitive”.

Ernest Gjoka: “Samiri (Fazli) është lojtar shumë i fortë fizik, ka pasur problemet e veta që ka qenë jashtë fushe për ca kohë, tashmë unë mendoj se është duke u rikthyer dhe e tregon saher që futet jep shpirtin. Është lojtar me shumë karakter, lojtar që sakrifikon shumë për skuadrën, kështu që sot dha gjithçka. Dhe jo vetëm ai, na dha shumë edhe Mariani (Radeski) dhe Nafiu. Janë tre ndrime shumë cilësore që kemi në skuadër dhe çdo herë që ne ndërojmë, heqim cilësi dhe fusim cilësi. Kështu duhet të fillojmë ta ndërtojmë, jo vetëm këto por edhe djemt tjerë. Unë mendoj se Shkëndija e ka potencialin, e rëndësishme është të kthehemi në mentalitet që të jemi një skuadër. Kjo don të thotë skuadër që ne punojmë bashkë, jetojmë bashkë, sakrifikojmë bashkë, mërzitemi bashkë dhe në fund fare edhe gëzohemi bashkë”.

Ernest Gjoka: “Sigurisht se është mirë të fitosh në një ndeshje të parë kundër një rivali siç është Pandevi. Personalisht mendoj se është një ekip shumë i mirë dhe i komplimentoj si trajnerin, ashtu edhe lojtarët që kanë brenda. Është mirë të fitosh sepse në fund të fundit është një rival direkt për titullin. Unë mendoj se Akademia Pandev, ne dhe Vardari jemi të tre ekipet në garë për të shkuar drejt titullit. Kështu që kjo është një fitore e mirë, një start i mirë i këtij fillimi të viti 2020, por edhe mbi të gjitha na jep edhe moral për vazhdimësi“.

Share Now

Related Post