Opinioni i trajnerit Gjoka pas ndeshjes me Makedonija Gj.P.

No image

Shkëndija nuk ka shkuar përtej barazimit 0:0 në transfertën me Makedonija Gj.P. dhe për trajnerin Ernest Gjoka mungesa e golit po bëhet problem serioz për kuqezinjtë.

  • “Mungesa e golit një problem kyç, sepse nuk jemi të qartë para portës”
  • “Gjunah që s’fituam, krijuam volum, loja shkoi mirë, por mungoi goli”
  • “Nuk godasim nga larg dhe kjo është ajo gjë që kërkoj me vazhdimësi”
  • “Duhet akoma shumë punë, shumë durim dhe besim, nëse rritemi goli vjen”

Dominimi për 90-të minuta nuk i ka dhënë Shkëndijës më shumë se barazim 0:0 në duelin e xhiros së 12-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut kundër Makedonija Gjorçe Petrov në Shkup. Kuqezinjtë zhvilluan një pjesë të parë shumë cilësore me volum loje, por u humbën disa raste përfshi një pozitë ballore të Radeskit para portierit vendas Jovanovski. Shkëndija kërkoi fitoren edhe në të dytën, por në kushte kur mungon goli maksimumi që mund të merret është barazimi 0:0.

 

Ernest Gjoka: “Sigurisht mungesa e golit është një prej problemeve më kryesore, sepse nuk jemi akoma të qartë para portës. Është gjunah, sepse volum u bë, gjërat që i kishim përgatitur shkuan mirë, por problemi është i golit. Kjo gjë po na kthehet në një stres dhe duhet patjetër të reagojmë, të jemi akoma më shumë cinik para portës, të shfrytëzojmë rastet që na jepen, duhet të godasim edhe nga larg. Ne nuk godasim nga larg dhe kjo është ajo gjë që kërkoj me vazhdimësi. Duhet akoma shumë punë, shumë durim dhe besim“.

Ernest Gjoka: “Fakti që kërkoj të godasim prej larg dhe lojtarët nuk e bëjnë mendoj se vjen pasi ndoshta nuk janë të qartë në atë moment dhe ngaqë kërkojmë me patjetër të zgjidhim ndeshjen mundohen të bëjnë gjëra që nuk mund të bëhen në atë moment. Por duhet të sqarohemi akoma më shumë. Edhe pse jemi kaq larg, kam besim që ky grup futbollistësh do të vazhdojë të eci përpara, duke na dhënë kënaqësi. Por e përsëris se na duhet shumë punë, vazhdoj të këmbëngul të ndryshimi i mentalitetit. Duhet të jemi akoma më shumë agresivë dhe shumë lojtarë duhet të fillojnë të ndryshojnë. Edhe ata që vijnë nga pankina duhet të japim më shumë, të angazhohen maksimalisht dhe të jenë më agresivë. Në qoftë se sot në futboll nuk je agresiv nuk arrin asgjë. Kjo na mungon dhe në qoftë se ndryshojmë mentalitet sa më shpejtë, unë mendoj se do të vijë edhe goli”.

Ernest Gjoka: “Në pjesën e dytë mendoj se ndoshta niveli ra edhe për meritë të kundërshtarit që mori më shumë masa dhe na bllokoi disa pika tona. Por mendoj që ndoshta edhe te një pjesë e lojtarëve tanë u shfaqën shenja lodhje dhe kur vjen kjo gjërat balancohen. Por, gjithsesi edhe në pjesën e dytë po e kërkonim vazhdimisht golin, por këtë e bënim në mënyrë jo të qartë. Është një problem që duhet të jemi akoma më të qartë. Krosi nga krahët, dalja në krahë, loja e shpejtë kur duhet dhe kur duhet të luajmë ngadalë. Të jemi më të qartë kur duhet të kalojmë topin me shpejtësi dhe kur duhet ta mbajmë topin me stacione. Këto janë disa gjëra që unë i kërkoj që t’i ndjekim në etapa, por sigurisht se çdo gjë ka kohën e vet. Fatkeqësisht ne nuk kemi kohë sepse pikët janë në lojë, diferenca bëhet çdo ditë më e madhe, por që tani jemi para këtij fakti dhe duke qenë kështu duhet të mendojmë të gjithë që të fillojmë të ngrihemi gradualisht”.