Opinioni i Erhan Selimit pas fitores ndaj Rabotniçkit

No image

Ushtruesi i detyrës së trajnerit të KF Shkëndija, Erhan Selimi ka vlerësuar paraqitjen e skuadrës në triumfin e parë sezonal 3:0 kundër Rabotniçkit.

  • Erhan Selimi flet me nota pozitive pas triumfit ndaj Rabotniçkit
  • “Fitore e nevojshme pas presionit të madh psiqik”
  • “Pa eufori të marrim ndeshjet njëra pas tjetrës”
  • “Lojtarët zbatuan detyrat e dhëna nga stafi teknik”
  • “Shkëndija me Ecologun do të kthehet aty ku e ka vendin”


Xhiroja e pestë e Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut solli triumfin e parë të Shkëndijës në sezonin e ri. Kuqezinjtë mundën Rabotniçkin me shifra bindëse 3:0, në një takim të dominuar nga ekipi i drejtuar nga ushtruesi i detyrës së trajnerit, Erhan Selimi. Junior dhe Alimi në të parën dhe Totre në fund të takimit shënuan golat e triumfit të Shkëndijës, i cili ka lënë të kënaqur stafin teknik të skuadrës kuqezi.

 


Erhan Selimi:
“Mendoj se kjo fitore na duhej shumë pas presionit psiqik që kishte skuadra. U mundam maksimalisht ta shfrytëzojmë pauzën kampionale për të intervenuar në eliminimin e mangësive që kishim identifikuar në ndeshjet paraprake. Nuk dua të jem euforik dhe them se për momentin rëndësi kanë vetëm tre pikët që rëmbyem sot dhe mendojmë të fokusohemi nga ndeshja në ndeshje”.

Erhan Selimi: “Me rëndësi është fitorja dhe tre pikët. Në momente ekipi kishte rënie, mirëpo duhet kuptuar se presioni psikologjik ishte i madh. Për mua me rëndësi mbetet fakti se detyrat që u dhamë ne si staf teknik u zbatuan maksimalisht nga futbollistët. Mendoj se na pret edhe shumë punë, por do të shkojmë ngadalë dhe sigurtë nga seanca stërvitore në tjetrën, nga ndeshja në ndeshje, duke kërkuar të minimizojmë gabimet që shfaqen në lojë”.

Erhan Selimi: “Ndeshja e sotme solli edhe gjëra pozitive edhe negative. Unë dua të uroj gjithë futbollistët për fitoren dhe me këtë rast të jap një mesazh të fuqishëm se Shkëndija me Ecologun do të kthehet aty ku e ka vendin”.

Erhan Selimi: “E përsëris se nuk jam tip euforik dhe nuk dua tani të lejoj të na kaplojë ndonjë eufori. Dua të punojmë fuqishëm dhe ndeshje pas ndeshje besoj të stabilizohemi dhe të jemi në nivelin e duhur”.