KOMUNIKATË | Nga krenaria e paturpësia deri te dyftyrësia!

No image

Incidenti i djeshëm në tribunën e stadiumit ‘Filipi II’ në Shkup ku u ndeshën Vardari dhe Shkëndija nuk është vetëm turpi i skenës sonë të futbollit por kërcënon të prodhojë situata që nuk do t’i dëshironte askush.

Në këtë incident u sulmua kryesia e KF Shkëndija së bashku me disa miq tanë të cilët i kishim ftuar për ta ndjekur këtë derbi së bashku. Nuk e kishim imagjinuar se mund të ndodhte një sulm i këtillë barbar në atë pjesë të tribunës që nikoqiri, dhe njëkohësisht organizator i takimit, e kishte caktuar për kryesinë e KF Shkëndija. Ne besuam se udhëheqja e Vardarit i kishte bërë të gjitha përgatitjet duke i marrë masat e nevojshme që ne, në këtë pjesë të tribunës, të ishim të garantuar për sigurinë tonë fizike. Të dënohen ashpër këto skena është paksa qesharake, ato tregojnë se kompetentët e futbollit në Maqedoni, Federata e Futbollit e Maqedonisë dhe të gjitha institucionet tjera përgjegjëse, duhet të kujtohen mirë e t’i vënë në funksion të gjitha mekanizmat e tyre për t’i kthyer në normalitet stadiumet dhe futbollin në Maqedoni. Ne nga ana jonë, si kryesi e KF Shkëndija shpresojmë dhe besojmë se ky normalitet mund të arrihet. Ne zotohemi për përmbushjen e të gjitha detyrimeve sipas standardeve dhe rregulloreve të institucioneve më të larta të futbollit, por zotimi ynë do ishte i pavlerë nëqoftëse këtë gatishmëri e zotim nuk e gjejmë edhe te klubet tjerë të Maqedonisë.

Se si mund të quhet turpi, krenari, ne nuk mund ta akceptojmë. Këtë formulë metamorfoze e din kryesia e KF Vardari e cila komunikatën e vet e nis me fjalën, Krenari! Dhe pastaj diku në rreshtat e mëposhtëm, shpreh një keqardhje të ftohtë e formale. Ju, akoma e nderuara kryesi e Vardarit, – e keni me seriozitet kur këtë ndeshje e krahasoni me ndeshjen Shkëndija-Vardari vjet në Kumanovë? Po ju komplet atë ndeshje e ndoqët nga vendi që ne kishim caktuar për ju, të rrethuar nga pjestarët e sigurimit tonë privat dhe nga pjestarët e policisë shtetërore, dhe nga stadiumi dolët të paprekur. Ju lutemi shikoni video-materialet e ndeshjes së djeshme, aty gjithçka duket qartë, madje dhe anëtarët e kryesisë sonë ku goditen e tërhiqen zvarë. Ju lutemi, shqyrtojeni komunikatën tuaj dhe përveç keqardhjes do të bënit mirë të ndieni dhe fajsi ndërsa kryefjalën krenari, jo ta zbritni më poshtë por më mirë ta hiqni krejt sepse kështu s’bën.

Ashtu siç keni qenë deri më tani të paprekur, edhe tash e tutje në shtëpinë tonë nuk do të guxojë t’ju prek kush por ama na thoni ju lutemi, a mund edhe ne ta besojmë një gjë të tillë për veten tonë kur jemi në shtëpinë tuaj. Nëqoftëse nuk jeni të aftë të na e garantoni këtë, më mirë na e thoni se sa të na lini në duart e huliganëve sepse ne, huliganë nuk jemi!

Shpresojmë të gjejmë mirëkuptim te ju kryesi e KF Vardarit e t’i korrigjojmë gjërat derisa për këtë akoma kemi hapësirë. E gjithë kjo që lexuat më sipër nuk është shikim i njëanshëm i gjërave por është vetëm shikim dhe qasje e gjithanshme.

Nga kryesia e KF Shkëndija,

Tags

Të tjera

Leave us a reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.