Mici: Vij në klub të madh, dua të bëjmë histori

No image

Gledi Mici shprehet i entuziazmuar që bashkohet me Shkëndijën, ndërsa fton mbështetësit e klubit për përkrahje në drejtim të arritjes së objektivave madhorë në skenën vendore dhe ndërkombëtare.

Mici ka firmosur kontratë dy vjeçare me kuqezinjtë, duke u bërë përforcimi i katërt i skuadrës së Qatip Osmanit në këtë merkato, pasi paraprakisht erdhën Remzifaik Selmani, Kostadin Çeshmexhiev dhe Omar Imeri.

27-të vjeçari shprehet i kënaqur për transferimin në Tetovë dhe mezi pret të paraqitet me klubin e ri.

“Sër pari dua të them se jam shumë i lumtur që firmos me Shkëndijën e Tetovës pasi dihet se është një klub i madh, mjaft korrekt dhe që ka bërë histori edhe në arenën ndërkombëtare evropiane”, shprehet Mici pas zyrtarizimit të marrëveshjes me Shkëndijën.

“Impresionet e mia janë shumë pozitive, çdo gjë këtu më duket profesionale. I vetmi problem i imi është që të angazhohem sa më shpejtë me grupin dhe të filloj stërvitjet”, shtoi ai.

“Ftoj të gjithë tifozët dhe ‘Ballistët’ që të na përkrahin që të arrijmë objektiva madhorë qoftë në kampionatin maqedonas ku tashmë Shkëndija është ekipi kampion dhe dihet se çfarë duhet të arrijë, por qoftë edhe në arenën ndërkombëtare në Europë të bëjmë historinë dhe minimumi të kapim grupet e Europa Ligës”, përfundoi mbrojtësi i majtë, Gledi Mici.