Shkëndija barazon pa gola në transfertën me Vardarin dhe ruan epërsinë prej 12-të pikëve me kundërshtarin për të shkuar në katër fitore pranë titullit të kampionit. Skuadra e Qatip Osmanit megjithëse kërkoi fitoren, gjithsesi rëmbeu barazim me vlera që nënkupton se mbyll sezonin pa humbje në duelet me rivalin e madh nga të cilët për më shumë nuk mundemi tashmë 8-të ndeshje me rradhë. Takimi i zhvilluar në Maxhari të Shkupit solli më shumë lojë luftarake se sa bukuri, kështu që rezultati 0:0 duket të jetë real. Edhe pse gjërat do të kishin shkuar ndryshe nëse Junior, A. Ibraimi, Fazli e Alimi do të kishin shfrytëzuar mundësitë e tyre në fraksionin e parë. Në të dytën vendasit kishin dominim të lehtë, mirëpo mbrojtja e Shkëndijës nuk lejoi të rezikohet, ndërsa në nivel ishte edhe portieri Bekim Rexhepi. Në fund ndarja e pikëve len tanët në distancë të njejtë me ndjekësin më të afërt kundër të cilëve hymë në seri prej tre ndeshjeve pa gol të pranuar. Shkëndija kthehet në aksion të shtunën kur në Tetovë pret Makedonija Gj.P..

PJESA E PARË
Dueli filloi me nga një mundësi në të dyja anët, por Totre e Cvetanovski nuk bënë mjaftueshëm për të shpresuar në ndryshim. Pasuan thirrje nacionaliste të tifozëve vendas që sollën ndërprerje disaminutëshe të ndeshjes pasi arbitri Jakimovski urdhëroi kapitenin vendas të kërkojë të ndalojnë korret ofenduese në baza nacionale. Pak më vonë vëmendjen e morri zënka verbale e A. Ibraimit me Felipen, pasi ky i fundit në dy raste ndërhynte ashpër ndaj numrit ’10’. Rasti i parë më serioz do të vinte pas një depërtimi të Tortes në minutën e 18-të, kur Gaçevski ndal të djathtën e Juniorit, ndërsa A. Ibraimi me kokë çon topin mbi traversë. Dhjetë minuta më vonë e djathta e Toshevskit nuk ishte shqetësim për Rexhepin. Shkëndija kontrollonte lojën mirëpo pa ndonjë rast serioz për gol, ndërsa vendasit prisnin mundësi në kundërsulm. Në minutën e 38-të Cvetanovski godet ashpër por i gatshëm në portë shfaqet Rexhepi që largon topin në këndore. Shkëndija shkoi pranë epërsisë në minutën e fundit të pjesës së parë kur Fazli nuk arrin të shënojë nga afërsia, ndërsa në vazhdim e djathta e Alimit nuk gjeti kuadrantin.


PJESA E DYTË
Fillimi pjesës së dytë solli vendasit më të orientuar në sulm, por Rexhepi shfaqte qetësi në portë edhe pse goditja e Felipes e kontrolluar nga gardiani erdhi pikërisht pas një gabimi paraprak të tij. Afër golit shkoi Lira në minutën e 61 kur me kokë goditi mbi traversë. Pasuan minuta pa shanse për të shënuar dhe luftë në mes dy palëve në mesfushë. Pesë minuta para fundit pas një depërtimi në zonë Bojku ‘fiton’ vetëm karton të verdhë për protestë pasi pretendonte për penalti pasi u ndal në zonë. Në minutat e fundit sërish momente të manifestimit të egërsisë kur nga publiku me shishe plastike goditet Murati, për të vazhduar më pas për disa minuta korre nacionaliste. Në kohën shtesë Manev me kokë godet skaj portës, ndërsa pas tre minutave kompensim sfida mbyllet me ndarje të pikëve me Shkëndijën që bën hapin e rradhës drejt mbrojtes së titullit.

“Ne në Shkup erdhëm me ambicie mos të humbim ndeshjen pasi përballë kishim konkurentin e vetëm për titullin e kampionit. Mendoj se i’a arritëm qëllimit dhe pse gjatë pjesës së parë kishim iniciativë dhe krijuam disa mundësi që mbetën të pashfrytëzuara. Në fraksionin e dytë pa vetëdije u tërhoqëm pak, por megjithatë edhe me barazim jemi të kënaqur”, deklaroi pas ndeshjes trajneri Qatip Osmani.

VARDARI-SHKËNDIJA 0:0 (0:0)
Stadiumi në Maxhari të Shkupit
Shikues: 500
Arbitër: Dejan Jakimovski
Golashënues: /
Kartona të verdhë: Felipe, Cvetanovski, Micevski dhe Lira (Vardari), ndërsa A. Ibraimi, Fazli, Murati, Junior, Nafiu dhe Bojku (Shkëndija)
VARDARI: Gaçevski, Toshevski, Manev, Junior, Lira, Micevski, Avramovski (Bitang 90’+3), Cvetanovski (Ibishi 76′), Novak, Najdovski; Felipe.
Trajner: Aleksandar Vasovski (I pezulluar)
SHKËNDIJËS: Rexhepi, Mici, Musliu, Sadriu, Alimi (c), A. Ibraimi (Radeski 90’+2), Fazli (Bojku 83′), Totre, Murati, Junior, Imeri (Nafiu 60′).
Trajner: Qatip Osmani

Share Now

Related Post