Barazim 2:2 në start të sezonit të ri kundër Vardarit në një takim ku fitorja na mohohet nga arbitrat që nuk japin penalti të pastërt në kohën shtesë. Pas negativës fillestare, Ibraimi dhe Bojku sollën përmbysje 2:1, ndërsa Popov në fund barazoi për rezultat final 2:2.
Kampionët e nisin sezonin e ri me barazim 2:2 përballë Vardarit në një takim me kthesa dhe ndarje të njëanshme të drejtësisë nga ana e arbitrit kryesor Stavrev që ndau tetë kartona të verdhë dhe një të kuq për kuqezinjtë të cilët nga minuta e 64-t mbetën pa kapitenin Alimi. Vardari avansoi 1:0 pas gjashtë minutave lojë, ndërsa Shkëndija në pjesën e parë mundësinë më të mirë për të barazuar e humbën përmes penaltisë të cilën nuk arrin ta realizojë Ibraimi. Kuqezinjtë nisën furishëm fraksionin e dytë kur fillimisht Ibraimi me super gol nga gjuajtja e lirë barazon në 1:1 në minutën e 54-t, ndërsa skuadra gjen forcë me dhjetë lojtarë të shënojë për epërsi 2:1 me anë të Bojkut në minutën e 73-të. Edhe pse tre pikët u shfaqën në horizont për Shkëndijën, lodhja nga ndeshjet europiane dhe me fakti që ishim me një lojtarë më pak në terren bëri të pamundur të mbrohet epërsia dhe Vardari pesë minuta para fundit barazon për rezultat përfundimtar 2:2. Në kohën shtesë arbitri nuk sanksionon me penalti një lojë me dorë para portës së Vardarit, duke na mohuar mundsi të pastër për fitore.
PJESA E PARË
Edhe pse Shkëndija nisi lojën e vendosur për të treguar autoritet, kundërshtari avansoi në mundësinë e parë. Ishte minuta e 6-të kur Barsegjan prodhon një goditje të fortë dhe precize nga distanca për epërsi 1:0 të mysafirëve. Shkëndija provoi të përgjigjet por sërish drejt portës u kanosën mysafirët por Zahov kontrollon tentimin e Liras në minutën e 12-të. Kuqezinjtë shtuan presioni dhe pas dy minutave Emini fiton penalti pasi ndalet me faul në zonë nga Toshevski. Mirëpo barazimi nuk erdhi pasi Ibraimi godet nga pika e bardhë në kornizën e portës, ndërsa në vazhdim Nafiu godet mbi portë nga një pozitë ideale. I njeti futbollist kishte një tjetër tentim mbi portë, para se në minutën e 31 goditja e Musliut me kokë mos të gjejë kuadrantin. Vardari ngadalë u tërhoq në mbrojtje i shtypur nga ofenziva e Shkëndijës, por barazimi asessi të vinte. Në minutën e 38-të dy kanosje në drejtim të portës kundërshtare, fillimisht Gaçevski pret tentimin e Ibraimit, ndërsa në vazhdim Nafiu godet mbi portë. Pak para pauzës aksion i bukur i Shkëndijës me Eminin, Juniorin dhe Micin, mirëpo shpëtojnë në moment të fundit mbrojtësit e Vardarit. Të njejtin epilog pati edhe e majta e Ibraimit që bllokohet nga mbrojtësit kundërshtarë dhe kuqezinjtë shkojnë në pushim me negativë prej një goli.
PJESA E DYTË
Shkëndija në të dytën hyri edhe më e orientuar në sulm, derisa trajneri Osmani inkuadroi në lojë Totren në vend të Zejnullait. Loja sulmuese solli shpejtë rezultat kur në minutën e 54-t Ibraimi ekzekuton në mënyrë të përkryer një goditje dënimi për barazim 1:1 dhe delirium në tribuna. Pak më vonë Junior i’u afrua golit, mirëpo Gaçevski arrin të shpëtojë. Shkëndija nga minuta e 64-t mbeti me një lojtarë më pak në terren pasi me të kuq (dy kartona të verdhë) u përjashtua kapiteni Armend Alimi. Vardari u kanos me një të majtë të fortë të Barsegjanit që shkoi mbi traun e portës, ndërsa në minutën e 74-t do të vinte përmbysja. Ibraimi dhe Bojku luajnë një pasim të dyfishtë në zonën kundërshtare, ndërsa ky i dyti i inkuadruar si zëvendësim me një të majtë të fortë realizon për epërsi 2:1 të Shkëndijës. U duk se shkuam pranë fitores mirëpo pesë minuta para fundit Popov me goditje nga distanca barazon shifrat në 2:2. Në minutën e parë nga pesë të treguara shtesë u shfaq mundësi për Adilin, mirëpo e djathta e tij nuk kishte ashpërsinë për të befasuar Gaçevskin. Pjesa e dytë shkoi me një kriterium të çuditshëm të arbitrit Stavrev që ndau shumë kartona të verdhë, ndërsa në sekondat e fundit nuk tregoi penalti pas një loje me dorë në zonën kundërshtare.
Në fund ndeshja mbyllet baraz 2:2, ndërsa kuqezinjtë
SHKËNDIJA-VARDAR 2:2 (0:1)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Arbitër: Aleksandar Stavrev
Golashënues: Ibraimi 54′ dhe Bojku 74′ (Shkëndija), ndërsa Barsegjan 6′ dhe Popov 85′ (Vardar)
Kartona të verdhë: Nafiu, Alimi 2, Mici, Murati, Emini, Junior dhe Musliu (Shkëndija), ndërsa Toshevski, Bitang, Barsegjan dhe Popov (Vardar)
Karton i kuq: Alimi 64′ (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Alimi (C), Musliu, Ibraimi, Murati (Adili 82′) Zejnullai (Totre 46′), Junior, Emini, Mici, Nafiu (Bojku 67′).
Trajner: Qatip Osmani
VARDAR: Gaçevski, Toshevski, Popov (C), Bitang, Lira, Micevski (Najdovski 87′), Juffo (Berisha 78′) Barsegjan, Novak, Cvetanovski (Popzllatanov 70′) Brdarovski.
Trajner: Aleksandar Vasovski