Shkëndija ka pësuar disfatë 1:0 nga Vardari në Shkup, duke bërë një hap të madh pas në luftën për titullin e kampionit. Vardari fiton me një gol të Asanit të shënuar nga pozicioni jashtë-loje. Pjesa e parë shumë e dobët, në të dytën Shkëndija humb tre raste të pastërta për gol.

offside-in-post
Skuadra e Shkëndijës ka përjetuar një goditje të madhe në luftën për titullin e kampionit, pasi ka pësuar disfatë në takimin më të rëndësishëm të sezonit. Kërkohej fitore për të rëmbyer kreun, mirëpo 90-të minutat sjellin humbje me një gol të vetëm të shënuar nga pozicion jashtëloje, që len Shkëndijën 5 pikë larg Vardarit kur kanë mbetur edhe tre xhiro deri në fund të sezonit. Përkundër dominimit në takimin e një jave më parë, djemtë e trajnerit Akrapoviq nisën takimin shumë keq, ndërsa në minutën e tretë u desh intervenimi i shkëlqyeshëm i Zahovit për të shpëtuar goditjen me kokë të Hambarxhumjanit. Ky ishte paralajmërim prej ku do të vinte rreziku dhe në minutën e 9-të pas një topi të humbur në mesfushë, topi transferohet në të djathtë për Hambarxhumjanin, i cili asiston para portës ku Jasir Asani nga pozicioni jashtëloje shënon për epërsi 1:0 të Vardarit. Një minutë më vonë Ibraimi tenton portën, por bllokohet nga Novak që u duk sikur u shërbye me dorë, mirëpo arbitrat treguan loja të vazhdojë. Shkëndija këronte të rikthehet në lojë, mirëpo Vardari ishte më i qartë dhe administronte pa problem lojën, duke lënë që kanosjet e Bejtullait dhe Juffos nga distanca të mos krijojnë problem. Në pjesën e dytë Shkëndija ishte shumë më e mirë, më konkrete, duke krijuar raste të 100% shënimi, mirëpo pa fat në realizim. Në minutën e 54 harkon Ibraimi, ndërsa goditja me kokë e Zhuniorit ndalet në vijën e portës nga Paçovski. Tre minuta më vonë pasim i përkryer i Juffos që nxjer të vetmuar para portës Radeskin, mirëpo sulmuesi i Shkëndijës godet në portierin vendas. Në vazhdim Juffo dhe Alimi sollën nga një kansoje të rrezikshme që nuk sollën ndryshim në rezultat, ndërsa në minutën e 80-të Zhunior asiston për Demirin, mirëpo Paçovski edhe një herë shpëton mrekullisht portën e tij. Tentimin e fundit për të shmangur disfatën e kishte Ibraimi nga gjuajtja e lirë në minutën e 83-të, mirëpo pa mundur të mposhtë Paçovskin. Vardari bën një hap përpara në luftën për titullin e kampionit, mirëpo është për të ardhur keq që kjo ndodh shkaku i një gabimi të arbitrave që ndikojnë direkt në epilogun final të kësaj përballeje.

 

VARDARI-SHKËNDIJA 1:0 (1:0)

Stadiumi ‘Filipi i Dytë’ në Shkup

Shikues: 3 500

Arbitër: Dimitar Meçkarovski

Arbitra ndihmës: Dejan Nedelkoski dhe Goce Petreski

Arbitra shtesë: Dejan Jakimovski dhe Nikolla Kostençev

Delegat: Ivanço Zahariev

Golashënues: Asani 9’ (Vardari)

Kartona të verdhë: Spirovski, Gligorov dhe Hambarxhumjan (Vardari), ndërsa Cuculi (Shkëndija)

Karton i kuq: /

VARDARI: Paçovski, Popov, Grnçarov, Spirovski, Asani (Grozdanovski 55’), Gligorov, Stojkov (Dashjan 62’), Hambarxhumjan, Novak, Felipe, Kojasheviq.

Trajner: Goce Sedlloski

SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Alimi, Cuculi, Ibraimi, Nexhipi (Juffo 20’), Radeski (Asani 79’), Zhunior, Demiri, Todorovski, Vujçiq (Merajiq 75’).

Trajner: Bruno Akrapoviq

Shpërndaje

Leave us a reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.