Kuqezinjtë vazhdojnë në LPFM aty ku u ndalën para pauzës kampionale. Xhiroja e 24-t ka sjellë fitore 3:0 në transfertën me Sileksin në Kratovë, duke çuar në 16-të numrin e triumfeve në këtë kampanjë, prej të cilave tre numërojnë kundër rivalit të sotëm. Një autogol në pjesën e parë dhe realizimet e A. Ibraimit dhe Musliut në të dytën sollën fitoren bindëse, ndërsa vlen të ceket rikthimi i Marjan Radeskit që luajti për herë të parë në një ndeshje zyrtare pas pauzës prej 8 muajve si pasojë e operimit të ligamenteve. Në një terren të vështirë për lojë Shkëndija gjeti epërsinë pas 24 minutave kur goditja e Agim Ibraimit devijohet nga Milenkovski për epërsi 1:0 pas pjesës së parë. Në fraksionin e dytë të përzgjedhurit e Qatip Osmanit ishin më konkret dhe nga disa raste shënimi konkretizuan dy. Fillimisht Junior asiston për Agim Ibraimin që dyfishon rezultatin, ndërsa shifrat përfundimtare Sileksi 0, Shkëndija 3 i vulosi mbrojtësi Visar Musliu që shënoi me kokë në minutën e 86-të pas harkimit të A. Ibraimit nga këndi. Kështu kuqezinjtë vazhdojnë të mbajnë distancën me rivalët në kreun e tabelës, ndërsa sfidën e rradhës e luajmë si vendas të dielën kundër Pobedës.
PJESA E PARË
Fillimi i takimit paralajmëroi lojë të hapur dhe me shumë shanse duke llogaritur faktin se pa kaluar një minutë e plotë vendasit sollën goditjen e parë në kuadrant, mirëpo tentimi me kokë gjeti të përgatitur portierin Zahov. Por ky ishte shansi i vetëm në 24 minutat e para kur dy ekipet vepronin me tempo të ulët dhe nuk gjenin hapsirë për të rrezikuar. Ndryshimi erdhi në minutën e 24-t kur pas një aksioni të mirë nga Junior e Mici, Agim Ibraimi godet nga brendësia e zonës, ndërsa topi i devijuar nga mbrojtësi vendas Milenkovski përfundon në rrjetën e portierit Efremov.
Golit të dytë i’u afruam gjashtë minuta para pauzës kur Mici kërkon Juniorin para portës, por pak para brazilianit pastron mbrojtësi vendas. Në çastet e fundit të pjesës së parë vendasit shkuan pranë barazimit. Fillimisht Zahov largon në këndore goditjen e Drashkoviqit që u duk se ishte jashta kuadrantit, ndërsa në vazhdim pas harkimit nga këndi Duranski me kokë çon topin skaj portës.
PJESA E DYTË
Në fillim të pjesës së dytë kanosemi me A. Ibraimin dhe Junior. Goditja e lirë e të parit devijohet në këndore, ndërsa pas harkimit nga këndi braziliani me kokë godet mbi traversë. Pak më vonë sërish mundësi për Stenio Junior, mirëpo edhe një herë braziliani godet jashta portës, me dallim që tani tentimi ishte me këmbën e djathtë. Pas një ore lojë kanosen vendasit kur Duranski lëviz bukur para zonës dhe godet fortë jashta portës së Zahovit. Në anën tjetër Agim Ibraimi provon me një të majtë të fortë, por e njejta ishte qendrore dhe nuk shqetësoi shumë Efremovin. Portieri vendas nuk mundi të bënte asgjë në minutën e 66-të kur shënuam për 0:2. Kundërsulm i shpejtë i udhëhequr nga Murati që asiston brenda zonës për Fazli. Numri ‘9’ bllokohet në një pozitë ideale, por topin e rëmben Junior që me asist perfekt hedh nga loja mbrojtjen dhe portierin vendas, për t’i krijuar Agim Ibraimit pozitë të pastërt në shtyllën e dytë, kur u desh vetëm të shtyjë topin në rrjetën e zbrazët. Një minutë më vonë mund të sillnim të tretin kur Ibraimi nxjer në pozitë ballore Juniorin, mirëpo Efremov ndal tentimin e brazilianit. Vendasit u dukën të dorëzuar përballë një Shkëndije që dominonte dhe kontrollonte topin, ndërsa një dalje e gabuar e portierit Zahov mundësoi Georgievin të dilte para portës së zbrazët. Për fatin tone goditja e tij u ndal në shtyllë. Ky moment inspiroi vendasit që sollën edhe dy mundësi shënimi. Fillimisht Zahov pret një goditje nga brendësia e zonës, ndërsa në vazhdim pas harkimit nga këndi Murati pastron topin në vijën e portës pas një goditje me kokë. Në anën tjetër goditja e Fazli me të majtën pritet nga Efremov, ndërsa në vazhdim pas harkimit të A. Ibraimit nga këndi Musliu me kokë shënon për 0:3. Këtu përfundoi historia e kësaj ndeshje me kuqezinjtë që vazhdojnë serinë pozitive kundër Sileksit.
SILEKSI-SHKËNDIJA 0:3 (0:1)
Stadiumi i qytetit në Kratovë
Shikues: 200
Arbitër: Dimitar Meçkarovski
Golashënues: Milenkovski a.g. 24′, A. Ibraimi 66′ dhe Musliu 86′ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Aleksovski (Sileksi), ndërsa Mici, Bejtullai dhe Musliu (Shkëndija)
SILEKSI: Efremov, Bllagojeviq, Drashkoviq, Georgiev, Duranski, Rajkoviq (Çavolli 87′), Jusuf (Janakievski 72′), Milenkovski, Serafimovski, Kocev, Aleksovski (Ristov 59′).
Trajner: Momçilo Mitevski
SHKËNDIJA: Zahov, Mici, Bejtullai, Alimi, Musliu, Totre (Zejnullai 89′), A. Ibraimi, Murati, Junior, Berisha (Fazli 58′), Nafiu (Radeski 80′).
Trajner: Qatip Osmani