Kuqezinjtë vazhdojnë serinë pozitive në Kratovë dhe LPFM, pasi fitojnë 2:1 duelin e xhiros së gjashtë me Sileksin. Në një ndeshje të kontrolluar në lojë dhe rezultat pak mungoi fitorja të na ikte nga duart kur vendasit arritën të barazojnë, mirëpo në kohën shtesë Besart Ibraimi shfaqet me një kryevepër të vlefshme tre pikë. Shkëndija hapi mirë ndeshjen dhe gjeti epërsinë e merituar në minutën e 15-të me anë të Besmir Bojkut. Në vazhdim humbëm disa raste për golin e qetësisë, ndërsa pasi mbetëm me 10-të lojtarë në terren pas përjashtimit të Selmanit me të kuq në minutën e 76-të, Sileksi barazon në 1:1 me Grozdanoskin tetë minuta para fundit. Këtu u duk se humbëm fitoren, për më shumë që vendasit u entuziazmuan për të tentuar golin e dytë, por vendimtar rezultoi Besart Ibraimi që shënon gol të bukur në kohën shtesë dhe çon në gjashtë numrin e fitoreve të njëpasnjëshme (katër në kampionat dhe dy në Kupë).

PJESA E PARË
Ndeshja nisi me mundësi për vendasit në minutën e pestë kur pas harkimit nga këndi Drashkoviq me kokë drejton topin në portë, por i vendosur mirë në shtyllë gjendet Mici që pastron rrezikun. Në minutën e 14-të mundësi kolosale për Sileksin me Desniqin që godet mbi portë nga një pozitë shumë ideale para Zahovit. Shkëndija shpejt ndëshkoi këtë huqje të madhe kur Ibraimi pason në hapsirë për Bojkun me këtë të fundit që krijon pozitë dhe godet saktë për epërsi 1:0. Vlen të ceket se kjo ishte hera e parë në sezonin e ri në LPFM që kuqezinjtë të parët kaluan në epërsi (në katër nga pesë xhirot paraprake kundërshtari avansonte, ndërsa javën e dytë me Maledonija Gj.P. barazuam pa gola). Shkëndija pas avantazhit vendosi dominim në terren dhe i’u afruam golit të dytë në minutën e 25-të pas një aksioni të mirë por e djathta e Juniorit shkon skaj portës. Dy minuta më vonë Desniq kanoset me një djathtë të fortë që kontrollohet nga Zahov. Një gabim i Totres në minutën e 31 nxjer të vetmuar para portës Mbellën, mirëpo Zahov përgjigjet me pritje të mrekullueshme. Portieri ynë shfaqet me intervenim të mirë edhe në aksionin e rradhës kur në mundësi gjendet Georgiev.

PJESA E DYTË
Vazhdimi solli futboll më të qetë me Shkëndijën që kontrollonte gjërat në terren. Vendasit tentonin të vijnë në mundësi për të barazuar, mirëpo tanët funksionin si duhet në fushë. Mundësia më serioze për gol erdhi në minutun e 66-të kur Adili nuk gjen portën me kokë pas harkimit të Alimit. Rruga drejt fitores u vështirësua pas minutës të 76-të kur duke luftuar për hapsirë në një sulm me karton të kuq përjashtohet Remzifaik Selmani i inkuadruar në lojë në pjesën e dytë. Emanuel Mbela në minutën e 79-të kanoset me goditje të fortë nga distanca që shkon jashta kuadrantit. Tre minuta më vonë u desh intervenimi fenomenal i Zahovit për të mbajtur epërsinë pas goditjes së bukur të Aleksovskit. Mirëpo portieri ynë nuk mundi të bëjë asgjë në vazhdim pas harkimit nga këndi, kur Grozdanoski i pambuluar me vole shënon për 1:1. Tashmë duhej reagim dhe Ibraimi në minutën e fundit provoi të na rikthejë epërsinë nga gjuajtja e lirë, por pa mundur të gjejë kuadrantin. Shkëndija me inferioritet numerik në terren u hodh në kërkim të fitores dhe qasja e guximshme u shpagua në minutën e dytë të kohës shtesë kur fillimisht vendasit shpëtojnë në vijën e portës pas tentimit të Bejtullait me kokë, ndërsa në vazhdim Ibraimi prodhon kryevepër kur me qetësi admiruese në raport me rezultatin dhe kohën që kishte mbetur për tu luajtur, parabolon portierin vendas për gol të vlefshëm fitore 2:1.

SILEKSI-SHKËNDIJA 1:2 (0:1)
Stadiumi i qytetit në Kratovë
Shikues
: 200
Arbitër: Dejan Jakimovski
Golashënues: Grozdanoski 82′ (Sileksi), ndërsa Bojku 15′ dhe Ibraimi 90’+2 (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Aleksovski, Duranski, Elomou dhe Ristovski (Sileksi), ndërsa Bojku, Musliu, Adili dhe Junior (Shkëndija)
Karton i kuq: Selmani 76′ (Shkëndija)
SILEKSI: Ivanov, Drashkoviq, Grozdanoski, Georgiev (Panovski 61′), Duranski (c), Mbella, Ristovski, Elomou (Lamçevski 75′), Milenkovski, Desniq (Ivanov 61′), Aleksovski.
Trajner: Zhikica Tasevski
SHKËNDIJA: Zahov, Alimi (c) (Emini 86′), Musliu, Ibraimi, Totre (Taipi 88′), Junior, Bojku, Mici, Adili, Imeri (Selmani 61′), Bejtullai.
Trajner: Qatip Osmani

Share Now

Related Post