Kuqezinjtë menaxhojnë suksesshëm transfertën e xhiros së 20-të me Shkupin në Maxhari ku fitojnë 0:3 për trepikëshin e parë në vitin 2018 . Cuculi në të parën dhe Hasani e Ibraimi në pjesën e dytë sjellin 16-të sezonale, të tretën në po aq ndeshje me Shkupin. Në fund debuton në fanellën kuqezi mbrotjësi Wakili.
Shkëndija që në pjesën e parë tregoi autoritet në fushë, por terreni i papërshtatshëm nuk lejoi ndonjë lojë shumë të rjedhshme përballë një rivali të tërhequr në pjesën e vet dhe që priste të rrezikojë në kundërsulme. Kanosja e parë erdhi kur Adili kaloi bukur në të djathtë dhe harkoi para portës, por Zendeli ndali në dy kohë Ibraimin. Vendasit përgjigjen me Ilijoskin në minutën e 12-të, por i gatshëm në portë shfaqet Zahov. Në anën tjetër Hasani krijon hapsirë dhe godet centimetra skaj shtyllës. E njejta situatë në minutën e 30-të kur e majta e Ibraimit shkoi fare pranë portës vendase. Dominimi i kuqezinjëve solli ndryshim në minutën 33-të, kur Hasani harkoi nga këndi, ndërsa Cuculi me goditje të saktë me kokë çon topin në rrjetë për epërsi 0:1. Vendasit tentuan të përgjigjen në anën tjetër me dy kansoje, kur fillimisht pastron Cuculi, ndërsa pak më vonë Bajrami godet mbi portë. Kuqezinjtë mund të gjenin golin e dytë kur Hasani harkon për Ibraimin në zonë, mirëpo ky i fundit me kokë nuk gjen portën. Pjesa e parë u mbyll me një të djathtë të Jasharoskit që kaloi skaj portës së Zahovit. Fraksioni i dytë nisi me luftë të madhe në mes të terrenit që si pasojë solli tre kartona të verdhë, dy për Shkëndijën dhe një për Shkupin. Kanosja do të vinte sërish nga rivënia këndore e Hasanit në minutën e 63-të, mirëpo gjuajtja e Radeskit nuk gjeti portën. Loja gjithnjë bëhej më e ngjeshur në mesfushë pasi terreni nuk lejonte më shumë rjeshshmëri, ndërsa Hasani regjistroi dy tentime të pasuksesshme. Shkëndija kishte nevojë për golin e dytë për të mos rrezikuar fitoren dhe ky objektiv u menaxhua me sukses në minutën e 79-të kur Ibraimi depërton në zonë dhe fiton penalti pasi ndalet me faul nga Zendeli. Hasani ishte i saktë nga pika e bardhë dhe me golin e 18-të sezonal çon shifrat në 0:2. Vendasit panë veten të gjunjëzuar pa hapsirë për të bërë diçka më tepër, ndërsa Shkëndija shfrytëzoi këtë për të sjellë golin e tretë në minutën e 88-të me anë të Ibraimit. Pak para fundit Zahov shfaqet me dy pritje të bukura pas goditjeve të vendasve.
Nderi në fund vlen të shënohet debutimi i Alma Wakilit në fanellën kuqezi. Kështu Shkëndija regjistron fitoren e 16-të sezonale, të tretën në po aq ndeshje me Shkupin në këtë kampanjë.
Shihni ⇒ FOTOGALERINË e plotë
SHKUPI-SHKËNDIJA 0:3 (0:1)
Stadiumi “Boris Trajkovski” në Maxhari në Shkup
Shikues: 2 500
Arbitër: Marjan Gocevski
Arbitra anësorë: Gjorgji Stankovski dhe Kire Angellovski
Arbitra shtesë: Riste Sejmenov dhe Nikolla Kostençev
Delegat: Abdulla Sakipi
Golashënues: Cuculi 33′, Hasani 80′ dhe Ibraimi 88′ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Bajrami, Zendeli (Shkupi), ndërsa Hasani, Adili (Shkëndija)
Karton i kuq: /
SHKUPI: Zendeli, Maliqi (Shabani 69′), Bajrami, Lamçevski, Imeri (Vujçiç 58′), Broja, Krivanjeva, Ilijoski, Adem, Stojkoski, Jasharoski (Ismaili 87′).
Trajner: Ardian Nuhii
SHKËNDIJA: Zahov, Alimi, Cuculi, Ibraimi, Totre, Hasani, Radeski (Fazllagiç 90’+2), Musliu, Junior (Wakili 90’+2), Adili, Todorovski (Murati 60′).
Trajner: Qatip Osmani