Dominimi total për 90-të minuta nuk ka mjaftuar që Shkëndija të del me tre pikë nga sfida me Vardarin, pasi dueli i xhiros së 9-të në LPFMV u mbyll me barazim pa gola.

  • Shkëndija barazon 0:0 me Vardarin në duelin e xhiros së 9-të
  • Kuqezinjtë dominuan 90-të minuta, por pa mundur të shënojnë
  • Vardari gjithë ndeshjen kishte vetëm një goditje jashta portës
  • Pason pauza ndërkombëtare dhe kuqezinjtë kthehen në aksion pas dy javëve

Shkëndija ka dominuar por nuk ka shkuar më shumë se barazimi pa gola në sfidën e xhiros së 9-të kundër Vardarit në Tetovë. Trajneri i Shkëndijës nxori në fushë skuadër ofenzive, që përforcohej me kthimin e Bejtullait dhe Zahovit që vinin pas pauzës shkaku i lëndmeve. Fillimi i ndeshjes solli lojë të matur nga të dyja palët dhe në 25 minutat e para kanosjen e vetme e kishte Bejtullai kur goditi fortë por jashta kuadrantit. Më vonë Alimi lëvizi bukur dhe gjeti para zonës B. Ibraimin, por e majta e tij bllokohet në këndore. Vardari disi më i tërhequr kërkonte të rrezikojë në kundërsulm dhe tentimin e parë dhe të vetëm në gjithë ndeshjen e sollën me Avramovskin në minutën e 29-të kur e majta e tij shkoi mbi portë. Shkëndija riti presionin dhe solli dy kanosje serioze. Fillimisht Imeri në një kundërsulm godet ashpër me Gaçevskin që shpëton portën kundërshtare, ndërsa pesë minuta para pauzës bomba e B. Ibraimit nga gjuajtja e lirë shkon pak mbi kuadrant.

 

Pjesa e dytë ishte monolog i Shkëndijës që dominoi në tërësi, krijoi shanse dhe vetëm super pritjet e portierit kundërshtar dhe mungesa e fatit sportiv bënë që mos të vinte goli i fitores. Emocionet e para erdhën në minutën e 52-të kur Gaçevski ndal ‘bombën’ e B. Ibraimit nga gjuajtja e lirë, ndërsa pas topit të dëbuar bllokon edhe tentimin e Imerit. ‘Trafiku njëkahësh’ vazhdoi edhe në minutat në vazhdim, kur presioni i kuqezinjëve sillte mundësi shënimi, por portieri kundërshtar ndali me sukses tentimet e Muratit, B. Ibraimit me kokë dhe goditjen e fortë të Bejtullait nga distanca. Vardari ishte tërësisht i tërhequr në pjesëlojën e vet dhe presioni i Shkëndijës ishte normal të sillte gabime dhe kuqezinjtë në minutën e 75-të nuk shfrytëzuan daljen e gabuar të Gaçevskit, kur B. Ibraimi nuk arrin të shënojë. Në vazhdim e djathta e B. Ibraimit u devijua në këndore, ndërsa në vazhdim Bejtullai me kokë nuk gjeti kuadrantin. Në minutat e fundit të ndeshjes gjithë futbollistët ishin orientuar në pjesën kundërshtare dhe rivali ishte me fat kur e djathta e Juniorit devijohet në këndore, kurse në kohën shtesë Shefiti kishte ‘match point’ kur u gjet në mundësi ideale para portës kundërshtare, mirëpo goditja e tij bllokohet dhe sfida mbyllet me rrjeta të paprekura.

Pas ndeshjes ushtruesi i detyrës së trajnerit, Erhan Selimi vlerësoi me nota pozitive paraqitjen e skuadrës, duke potencuar se vetëm mungesa e fatit sportiv ishte arsye që Shkëndija nuk doli me tre pikë nga ky duel.

Selimi:
Mendoj se sot si Shkëndijë treguam karakter dhe pas performansës në pjesën e dytë vlerësoj se nuk kemi çka flasim, ishim më të mirë dhe e merituam fitoren. Në sport shumë me rëndësi është të kesh fat dhe ne sot nuk e patëm. Përgëzoj lojtarët për paraqitjen, posaçërisht në pjesën e dytë kur ishim dominues, por nuk patëm fat të shënonim”. 

 

SHKËNDIJA-VARDARI 0:0
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 4 000
Arbitër: Dimitar Meçkarovski
Golashënues: /
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Bejtullai (c), Neziri, Sadriu, Totre, Alimi, A. Ibraimi (Radeski 81′), Junior, Imeri (Shefiti 65′), B. Ibraimi.
Trajner: Erhan Selimi
VARDARI: Gaçevski (c), Toshevski, Najdovski, Junior (Kolevski 46′), Avramovski (Velkovski 90′), Cvetanovski, Novak, Popzllatanov, Mladenovski, Adem, Brdarovski.
Trajner: Aleksandar Vasovski

Share Now

Related Post