Shkëndija zyrtarisht është kampione e Maqedonisë. Fitorja 2:0 përballë Shkupit sjell rekord pikësh në historinë e klubit dhe shtatë xhiro para fundit matematikisht sigurohet titulli i kampionit. Pas pjesës së parë pa gola, Radeski dhe Ibraimi në të dytën shënuan golat e fitores. FC Shkupi përmes kapitenit Suat Zendeli para fillimit të takimit me një buqetë me lule uroi Shkëndijën për titullin e kampionit.

 

Kuqezinjtë fitojnë 2:0 Shkupin në kuadër të xhiros së 29-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë dhe matematikisht mbyllin llogaritë e kampionatit. Tanimë 26 pikë larg vendit të dytë, Shkëndija përsërit suksesin e vitit 2011 dhe për herë të dytë në histori shpallet kampione e elitës së futbollit vendor. Nëse maksimumi i pikëve deri tani ishte 72 nga viti 2011 kur kuqezinjtë fitonin titullin, tanimë shtatë xhiro para fundit kjo gjeneratë bën rekord prej 75 pikëve dhe po shënon faqe të re të historisë. Pas triumfit të mesjavës 2:3 në fushë të Vardarit, trajneri Osmani ashtu si që paralajmëroi ndeshjen e nisi me shumë ndryshime në formacion, duke lënë në pankinë futbollistë si Hasani, Ibraimi, Cuculi, Radeski, apo Junior që ishte lënë në tribuna si dhe Zahov që është i lënduar. Gjithsesi edhe ky formacion nderoi në maksimum fanellën dhe kampionatin, duke treguar grintë përballë Shkupit kualitativ. Pjesa e parë solli nga disa kanosje në të dyja portat, por në pauzë rezultati ishte 0:0. Në të dytën Shkëndija sikur ndryshoi ‘shpejtësinë’ dhe shtoi presionin para portës mysafire. Në fakt dy skuadrat kishin mundësitë e tyre, por me disa intervenime bravuroze u shfaqën portierët Bekim Rexhepi i Shkëndijës dhe Suat Zendeli i Shkupit. Vlen të ceket se pas pauzës si pasojë e lëndimit, në lojë u rikthy kapiteni Ferhan Hasani. Dallimin në këtë përballje do ta bënin ‘rezervistët’ Radeski e Ibraimi që shënuan golat e fitores. Fillimisht në minutën e 63-të Radeski shënon me kokë për 1:0 pasi miqtë nuk arritën të pastrojnë situatën pas një aksioni të gjatë. Në minutën e 82-të Ibraimi ‘shëtit’ në gjashtëmbëdhjetëmetërshin kundërshtar, para se me një të djathtë të fortë të realizojë për 2:0. Nga ky moment pritej fundit i ndeshjes që ishte fillimi i festës së madhe të futbollistëve bashkë me tifozerinë më të zjartë që kishin ardhur të nderojnë këtë moment historik të Shkëndijës.

 

 

SHKËNDIJA-SHKUPI 2:0 (0:0)

Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 4 000
Arbitër: Aleksandar Stavrev
Arbitra ndihmës: Marjan Kirovski Dejan Kostadinov
Delegat: Abdulla Sakipi
Golashënues: Radeski 63′ dhe Ibraimi 82′ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Alimi, Musliu dhe Bejtullai (Shkëndija), ndërsa Ndong dhe Adem (Shkupi)
Karton i kuq: /
SHKËNDIJA: Rexhepi, Bejtullai, Alimi, Shefiti (Radeski 61′), Musliu, Murati, Bojku (Ibraimi 46′), Emini (Hasani 77′), Teqja, Fazllagiç, Todorvski.
Trajner: Qatip Osmani
SHKUPI: Zendeli, Tipuriç, Maliqi, Bajrami (Jasharoski 67′), Shabani, Imeri, Broja, Krivanjeva, Ilijoski (Ndong 46′), Adem, Stojkoski (Çan 86’).
Trajner: Zekirija Ramadani

Share Now

Related Post