Kuqezinjtë mundin 3:0 Shkupin dhe ngjithen në pozitën e parë të renditjes tabelare pas 13-të xhirove në Ligën e Parë të futbollit në vend.
Me mungesa të rëndësishme në formacion si Ibraimi e Junior, futbollistët u frymëzuan nga përkrahja e madhe nga tribunat dhe atmosfera e krijuar nga ‘Ballistët’, kështu që performuan në nivel të duhur dhe me një lojë bindëse koleksionuan tre pikët e rradhës, duke çuar në katër numrin e fitoreve të njëpasnjëshme në kampionat.
Samir Fazli me golin debutues në kampionat solli epërsi 1:0 pas një çereku orë lojë, ndërsa pesë minuta para pauzës Izair Emini me kokë realizoi për 2:0. Pjesa e dytë solli administrim të kuqezinjëve që dominuan me lojë dhe shanse, ndërsa mbyllën historinë e takimit tetë minuta para fundit kur Armend Alimi vendos rezultatin final 3:0. Për Shkëndijën kjo ishte fitorja e gjashtë në gjashtë përballjet e fundit me Shkupin, ndërsa në kombinim me rezultatet në ndeshjet tjera, kuqezinjtë tashmë ngjiten në pozitën e parë në renditje me pikë të barabarta (nga 28 pikë) me Vardarin.
PJESA E PARË
Në minutën e tetë resgjistruam kanosjen e parë kur Alimi harkoi nga këndi, ndërsa tentimi i Musliut me kokë shkoi skaj portës. Shkupi tentoi të përgjigjet dhe për disa minuta qarkulloi topin, mirëpo kuqezinjtë shpejt morrën veten dhe u shpërngulën në pjesën kundërshtare ku edhe sollën ndryshimin. Ishte minuta e 15-të kur Samir Fazli lëviz bukur në zonë dhe me një të majtë precize realizon për epërsi 1:0.
I njejti futbollist dy minuta më vonë në situatë të ngjashme mund të sillte të dytin, por tani shpëton portieri Aleksovski. Pas gjysmë ore lojë Fazli shënon pas gabimit të portierit kundërshtarë, mirëpo goli ishte i pavlefshëm shkaku i prekjes së topit me dorë. Në minutën e 32-të miqtë sjellin kërcnimin e parë kur Angelov godet ashpër nga gjuajtja e lirë vetëm skaj portës së Zahovit. Shkëndija dominonte në terren dhe u kanos dy herë me Fazli dhe Alimin nga distanca, ndërsa në anën tjetër me start perfekt u shfaq Mici që shpëtoi rrezikun para portës. Në vazhdim Emini sjell të djathtë të fortë që kontrollohet nga Aleksovski. Me këtë rast numri 20 sikur paralajmëroi se është i disponuar për lojë dhe realizimi i tij do të vinte pesë minuta para pauzës. Nafiu dhe Mici zhvillojnë aksion nga e majta, ndërsa harkimin e saktë me kokë e pret Emini që shënon për 2:0. Miqtë pak më vonë u kanosën me gjuajtjen e fortë të Bajramit, por topi shkoi mbi traversë.
PJESA E DYTË
Fraksioni i dytë nisi me një mosmarrëveshje në mbrojtjen kuqezi që fatmirësisht nuk na kushtoi me gol, ndërsa në anën tjetër e djathta e fortë e Muratit nuk gjeti kuadrantin. Pak më vonë pas një aksioni të bukur kanoset Totre por për pak jopreciz. Në minutën e 61 Aleksovski me lehtësi kontrollon të majtën e Alimit, ndërsa pak më vonë ‘bomba’ e Bejtullait nuk gjen kuadrantin. Në minutën e 67-të duhej mrekullia e Aleksovskit në portë që mohoi gol të sigurtë pas goditjes me kokë të Bejtullait. Në anën tjetër kanoset Muharemi me goditje të fortë që për pak nuk ishte precize. Në minutën e 79-të Aleksovski shpëton pas goditjes së Eminit, ndërsa pak më vonë portieri kundërshtar kontrollon edhe tentimin e Totres. Mirëpo rezistenca e tij nuk vazhdoi në minutën e 82-të kur Alimi futet në zonë dhe godet ashpër për 3:0. Kanosemi në vazhdim me Eminin dhe Micin por pa ndryshim. Në sekondat e fundit mysafirët shkuan shumë pranë golit të nderit kur Stojkoski paraboloi porierin Zahov, mirëpo në vijën e portës shpëton Mici duke lënë rezultat përfundimtar Shkëndija 3, Shkupi 0.
SHKËNDIJA-SHKUPI 3:0 (2:0)
Stadiumi i qyteti në Tetovë
Shikues: 3 500
Arbitër: Marjan Markoski
Golashënues: Fazli 15′, Emini 40′ dhe Alimi 82′ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Bejtullai dhe Fazli (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Zahov, Mici, Bejtullai, Alimi (c), Musliu, Totre, Murati, Emini (Beqiri 86′), Imeri (Bojku 69′), Nafiu, Fazli (Shefiti 81′).
Trajner: Qatip Osmani
SHKUPI: Aleksovski, Tipuriq, Bilalli, Bajrami (c), Muharem (Veliu 55′), Jashari (Ifenji 29′), Broja, Krivanjeva, Angelov (Lika 81′), Junior, Stojkoski.
Trajner: Umit Karan