-
H 0:1
- Attendance5000
- ||, 2018/19, UEFA Champions League
- 2018-08-14 20:15
- Shkup
Kuqezinjtë munden 0:1 nga kampionët e Austrisë, Red Bull Salzburg dhe eliminohen nga kualifikimet e Champions League, mirëpo duke mbetur në skenën ndërkombëtare pasi vazhdojnë garat në play off të UEFA Europa League. Momenti vendimtar i takimit ndodhi në kohën shtesë kur Minamino realizoi golin e vetëm të takimit. Përkundër lojës shumë të mirë dhe të guximshme përballë gjysmëfinalistit të edicionit të kaluar të Europa League, vendimtar rezultoi të jetë epilogu i ndeshjes së parë në Salzburg ku kuqezinjtë u mundën 3:0. Shkëndija në takimin e kthimit tregoi lojë shumë më të mirë, duke dominuar në pjesën më të madhe përballë rivalit me renome. Pas pjesës së parë më të balansuar ku dy ekipet kishin nga dy kanosje, në fraksionin e dytë kuqezinjtë shtuan rritmin e lojës, duke krijuar disa mundësi të mira shënimi por që mbetën pa konkretizim. Alimi, Emini dhe Ibraimi i’u afruan portës kundërshtare, që megjithatë mbeti e paprekur. Në fund kur kohë për befasi nuk kishte, miqtë gjetën golin e fitores. Kështu Shkëndija pasi kaloi me sukses dy raundet paraprake përballë The New Saints të Uellsit dhe Sheriff Tiraspolit të Moldavisë, eliminohet nga Red Bull Salzburg. Kuqezinjtë gjithsesi vazhdojnë qëndrimin në Europë, pasi kjo ecuri u mundëson pjesëmarrje në play off të UEFA Europa League ku do të përballen me fituesin e duelit Rosenborg (Norvegji)- Cork City (Irlandë).
PJESA E PARË
Rezultati i ndeshjes së parë impononte që Shkëndija të niste në sulm që në start, mirëpo mundësia e parë me serioze ishte për miqtë në minutën e pestë, kur për fat të kuqezinjëve Dabbur vonohet në asistin para portës dhe nuk arrin të shënojë. Në anën tjetër përgjigjet Ibraimi tre minuta më vonë, por goditja e tij nuk pati ashpërsinë e duhur për të befasuar portierin Stankoviç. Shkëndija shpejt qetësoi lojën e kundërshtarit dhe me pasime të sakta ruante posedimin e topit, duke organizuar në disa raste aksione para portës kundërshtare. Rastet më konkrete i kishte Besart Ibraimi nga dy goditje standard e në harkun kohorë prej dy minutave. Fillimisht në të 37-ën nuk gjeti kuadrantin, ndërsa në tentimin e dytë topi kontrollohet nga portieri mysafir. Red Bull Salzburgu do të rikthehej të rezikojë portën në minutën e 41, mirëpo Zahov i gatshëm neutralizon goditjen e Yabo-s.
PJESA E DYTË
Fillimi i pjesës së dytë ishte furishëm në aspekt të shanseve para portave respektive. Fillimisht në minutën e 47-të bombë e Alimit që fishkëllon skaj shtyllës mysafire. Në anën tjetër ishte thjesht e pabesueshme çka humbën miqtë kur dy lojtarë u gjetën të vetmuar para Zahovit, mirëpo Wolf huq gjithë portën. Në minutën e 49-të i posainkuadruari në lojë Bojku inspiron aksion të kuqezinjëve, duke asistuar para portës, mirëpo goditja e Eminit bllokohet dhe të kota ishin pretendimet për penalti. Ashtu si në rastin e Alimit edhe tani vetëm disa sekonda më vonë vjen tjetër përgjigje nga miqtë, sërish Wolf del i vetmuar para Zahovit, mirëpo portieri ynë shpëton edhe këtë situatë. Edhe pse kishin epërsinë nga ndeshja e parë, kampionët e Austrisë ndjenin lojën e fortë të kuqezinjëve duke treguar shenja nervoze, që si pasojë solli dy kartona të shpejtë të verdhë dhe tërheqeje vërejtje për trajnerin e tyre Marco Rose. Në minutën e 64-t mundësi shumë e mirë për Eminin që kalon mbrojtësit kundërshtarë, mirëpo humbë kohë duke u hamendur dhe mbyllë këndin për të goditur. Disa sekonda më vonë tenton Ibraimi, mirëpo topi kontrollohet nga portieri mysafir. Shkëndija fitoi zemër dhe forcoi sulmet, duke krijuar tjetër mundësi përmes Ibraimit, mirëpo shpëton edhe një herë Stankoviç. Në minutën e 69-të aksion i bukur i Bojkut dhe Juniorit, mirëpo Ibraimi nuk gjen kuadrantin. Miqtë sollën kansoje në minutën e 84 kur Daka u gjet para portës, mirëpo tentimi i tij bllokohet në rivënie nga këndi. Kur pritej ndeshja të mbyllet pa gola, një gabim në mbrojtje në kohën shtesë bëri që Takumi Minamino të shënoi për fitore 0:1 të miqve.
SHKËNDIJA-RED BULL SALZBURG 0:1 (0:0)
Stadiumi “Filipi i Dytë” në Shkup
Shikues: 5 000
Arbitër: Tamas Bognar (Hungari)
Golashënues: Minamino 90’+2 (Red Bull Salzburg)
Kartona të verdhë: Adili, Bejtullai dhe Musliu (Shkëndija), ndërsa Schlager, Dabbur dhe Samassekou (Red Bull Salzburg)
Karton i kuq: /
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Alimi, Musliu, Ibraimi, Totre, Junior, Emini (Shefiti 86’), Mici, Adili (Selmani 71’), Nafiu (Bojku 46’).
Trajner: Qatip Osmani
RED BULL SALZBURG: Stankoviç, Haidara, Yabo (Minamino 67’), Samassekou, Dabbour (Daka 76’), Wolf, Ramalho, Ulmer, Lainer, Pongraçiç, Schlager (Leitgeb 89’).
Trajner: Marco Rose