Kuqezinjtë koleksionojnë fitoren e tretë me rradhë në kampionat duke mundur me shifrat e larta 6:2 liderin e deri para kësaj xhiroje, Rabotniçkin. Besart Ibraimi shënoi tre herë, ndërsa nga një gol shtuan Alimi, Bojku dhe Mici. Ashtu si dy takimet paraprake në kampionat me Bellasicën dhe Shkupin (fitore 4:1 dhe 2:1) edhe sot skuadra zgjodhi rrugën më të vështirë për të arritur deri te triumfi, pasi paraprakisht pa veten në negativë 0:1. Petar Petkovski në minutën e 11-të gjendeti mirë në zonë dhe realizon për epërsi të miqve, mirëpo kuqezinjtë pasi kaluan krizën fillestare u shfaqën të vrullshëm në 15-të minutat e fundit të pjesës së parë kur krijuan shumë raste dhe shënuan tre gola në harkun kohor prej tre minutave. Fillimisht Gledi Mici me golin e parë në fanellën kuqezi sjell simetri në rezultat, ndërsa pak sekonda më vonë Besart Ibraimi përmbys gjithçka për epërsi 2:1. Rezultatin e pjesës së parë 3:1 e vendosi me gol të bukur Bojku në minutën e 40-të. Në fillim të pjesës së dytë Armend Alimi shtoi shifrat në 4:1, para se Ostoja Stjepanoviq të realizojë gol të bukur nga gjuajtja e lirë për 4:2. Deri në fund në skenë shfaqet Besart Ibraimi që shënon dy herë (minutat 75-të dhe 82) për fitore bindëse 6:2, e dyta me këtë rezultat ndaj të njejtit rival (kuqezinjtë fitonin 2:6 sezonin e kaluar në Shkup).
PJESA E PARË
Edhe pse Shkëndija tentoi që në start të imponojë volum loje, ishin miqtë që i’u ofruan epërsisë në minutën e dytë, mirëpo Zahov tregohet i gatshëm kur kontrollon tentimin e Petkovskit. Në anën tjetër situatë ideale për Ibraimin nga gjuajtja e lirë, mirëpo sulmuesi nuk arrin të kalojë murin e gjallë. Rabotniçki si lider nuk kishte ardhur në Tetovë të mbrohet dhe në daljen e rradhës përpara në minutën e 11-të arritën të shënojnë me anë të Petar Petkovskit. Kuqezinjtë mundeshin të barazojnë gjashtë minuta më vonë, mirëpo Ibraimi nuk arrinë të drejtojë topin në kuadrant pas asistit të Imerit. Pasoi periudhë e qetë sa u përket rasteve të shënimit, pavarësisht faktit se Shkëndija demonstronte futboll shumë ofenziv me presion të vazhdueshëm në pjesën e kundërshtarit. Pas gjysmë ore lojë rikthehen emocionet dhe kuqezinjtë sjellin katër raste për gol. Fillimisht Emini godet plogsht në duart e portierit mysafir pas harkimit të Ibraimit, ndërsa disa sekonda më vonë Bojku nuk gjen kuadrantin nga një pozitë shumë ideale. Bejtullai kanoset me një bombë nga distanca që ndalet me shumë vështirësi nga Bozhinovski, kurse pak më vonë i riu Imeri vonohet në reagim dhe lëshon rast të mirë për të barazuar.
Ishte thjesht e pabesueshme epërsia e miqve në raport me futbollin që prodhonin kuqezinjtë, mirëpo kjo nuk mund të zgjaste deri në pafundësi pasi Shkëndija arrin të sjellë tre gola në harkun kohor prej vetëm tre minutave.
Fillimisht Gledi Mici gjen të parin në fanellën kuqezi për barazim në minutën e 37-të, ndërsa vetëm një minutë më vonë vjen përmbysja kur Besart Ibraimi shënon për 2:1. Uragani kuqezi nuk u ndal këtu dhe pa kaluar 120-të sekonda, Besmir Bojku realizon me goditje të bukur prej brenda zonës për rezultat 3:1.
PJESA E DYTË
Në fillim të pjesës së dytë Imeri dhe Emini zhvillojnë aksion, ndërsa tentimi i Bojkut bllokohet në këndore. Totre provoi me një të djathtë që kontrollohet nga Bozhinovski. Dhjetë minuta u deshën në pjesën e dytë për të regjistruar golin e katërt. Ibraimi depërton në të majtë dhe asiston para portës ku Alimi përcjell topin në rrjetë për rezultat 4:1.
Epërsia e lartë bëri që ekipi të ulë tempon e lojës dhe këtë e shfrytëzuan miqtë që me anë Stjepanoviqit në minutën e 69-të nga gjuajtja e lirë zbusin negativën në 4:2 edhe pse paraprakisht Rabotniçki mbeti në fushë me 10-të lojtarë pas kartonit të dytë të verdhë (karton i kuq) të Oliver Peevit në minutën e 63-të. Shkëndija nuk u ndal këtu dhe pas pak minutave ndryshoi ‘shpejtësinë’ duke sjellë edhe dy gola me anë të Ibraimit.
Fillimisht në 75-të pas një kombinimi të dyfishtë numri 7-të del i vetmuar para portës dhe shënon për 5:2, ndërsa tetë minuta para fundit aksion model i kuqezinjëve me Nafiun dhe Bojkun që zhvillojnë aksion të bukur, ndërsa Ibraimi me shumë klas realizon për rezultat final 6:2.
SHKËNDIJA-RABOTNIÇKI 6:2 (3:1)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 3 000
Arbitër: Dejan Jakimovski
Golashënues: Mici 37′, Ibraimi 38′, 75′ dhe 82′, Bojku 40′ dhe Alimi 55′ (Shkëndija), ndërsa P. Petkovski 11′ dhe Stjepanoviq 69′ (Rabotniçki)
Kartona të verdhë: Mici, Musliu, Alimi dhe Adili (Shkëndija), ndërsa Peev 2, Dimitrovski, P. Petkovski, Stankovski dhe Kordoba (Rabotniçki)
Karton i kuq: Peev 63′ (Rabotniçki)
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Musliu, Totre, Alimi (c) (Taipi 82′), Ibraimi, Bojku, Emini (Zejnullai 64′), Mici, Imeri (Nafiu 75′), Adili.
Trajner: Qatip Osmani
RABOTNIÇKI: Bozhinovski, Mitrev, Dimitrovski (Steviq 56′), Herera, Petkovski, Stjepanoviç, Bopesu (Stankovski 46′), Peev, Kordoba, Fazliju (Çinedu 61′), Nedelkoviç.
Trajner: Gjore Jovanovski