Radeski dhe Hasani realizojnë për fitore 2:1 të Shkëndijës përballë Rabotniçkit, me miqtë që avansuan të parët me anë të Çinedu-s. Rabotniçki mbylli ndeshjen me 10-të futbollistë  pasi Sadiki doli me të kuq. Në fund të ndeshjes në tribuna jehoi kënga “kampione, kampione” me publikun që e sheh skuadrën lidere deri në fund të sezonit.

Shkëndija zgjidh me sukses edhe “detyrën” e rradhës kampionale, duke mundur me shifrat 2:1 Rabotniçkin në kuadër të xhiros së 14-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. Tre pikët erdhën pas një lufte të madhe gjatë gjithë 90-të minutave dhe përmbysjes së rezultatit pas epërsisë së miqve. Ndeshja filloi me rritëm dhe luftë në mesfushë, pa ndonjë bukuri futbollistike dhe pa shanse para portave respektive. Nxitjet e para erdhën pas 19-të minutave lojë kur Hasani inspiron kundërslum për Ibraimin që futet në zonë, por bllokohet në kohë nga portieri Bozhinovski. Trajneri Osmani duhej të ndryshojë që në pjesën e parë kur në minutën e 30-të shkaku i dëmtimit Totre i la vendin Zejnullait. Kur u duk se Shkëndija u imponua për të gjetur epërsinë goli erdhi në anën tjetër. Stjepanoviç në minutën e 35-të asiston saktë për Çinedu-n, i cili realizon për  0:1. Kuqezinjtë reaguan shpejtë dhe barazuan pas pesë minutave. E djathta e Hasanit nga gjuajtja e lirë ndalet në traversë, Emini në vazhdim çon topin në shtyllë, ndërsa nuk gabon për herë të tretë Radeski që me kokë shënon për barazim 1:1. Tre minuta para pauzës Hasani u kanos rrezikshëm, mirëpo e majta e fortë e tij ndalet nga Bozhinovski. Starti i pjesës së dytë solli intervenim bravuroz të Zahovit që shpëton portën pas goditjes së Sadikit me kokë. Në të njejtin stil në anën tjetër përgjigjet portieri mysafir i cili në minutën e 55-të ndal mrekullisht goditjet e Radeskit dhe Ibraimit. Në minutën e 67-të tjetër mundësi për Hasanin, mirëpo epilogu gjithmonë i njejtë, shpëton Bozhinovski. Pak më vonë pas aksionit të Ibraimit arbitri Stavrev nuk ndëshkon lojën me dorë në zonën kundërshtare. Situatë e dyshimtë edhe në minutën e 80-të kur Stavrev nuk sanksionon tjetër lojë me dorë në zonën e Rabotniçkit, mirëpo nuk kishte zgjidhje tjetër në minutën e 81 kur Sadiki ndal Ibraimin me faul dhe del nga loja me kartonin e dytë të verdhë. Hasani nuk gabon nga penaltia, duke sjellë epërsinë e merituar 2:1. Deri në fund nuk pati ndryshim dhe Shkëndija shkon në pauzën dy javore me tre pikë dhe si lidere e renditjes.


FOTOGALERIA E NDESHJES

SHKËNDIJA-RABOTNIÇKI 2:1 (1:1)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues:
4 000
Arbitër: Aleksandar Stavrev
Arbitra anësorë: Marjan Kirovski dhe Dejan Kostadinov
Arbitra shtesë: Darko Stojçevski dhe Faton Mustafi
Delegat: Ivan Putilin
Golashënues: Radeski 40′ dhe Hasani pen. 82′ (Shkëndija), ndërsa Çinedu 35′ (Rabotniçki)
Kartona të verdhë: Bejtullai, Junior dhe Teqja  (Shkëndija), ndërsa Sadiki 2, Iliev, Stjepanoviç, Sergio Junior dhe Todorov (Rabotniçki)
Karton i kuq: Sadiki 81′ (Rabotniçki)
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Alimi, Cuculi, Ibraimi (Bojku 90+3′), Totre (Zejnullai 30′), Hasani, Radeski, Emini (Junior 63′), Teqja, Todorovski.
Trajner: Qatip Osmani
RABOTNIÇKI: Bozhinovski, Mitrev, Sadiki, Çinedu, Stjepanoviç (Najdovski 78′), Velinov (Sahiti 85′), Sergio Junior, Todorov, Iliev, Bilalli, Trajçevski (Markoski 70′).
Trajner: Goran Stankovski

Share Now

Related Post