Shkëndijë me pesë yje në xhiron e 25-të të LPFM-së që deklason me shifrat 5:2 Pobedën e Prilepit. Ndeshje efikase e kuqezinjëve që gjejnë rrjetën me pesë autorë të ndryshëm të golave, mes të cilëve edhe Marjan Radeski i rikuperuar tashmë plotësisht pas pauzës prej tetë muajve. Pas triumfit të mesjavës 3:0 në Kratovë kundër Sileksit, Shkëndija menaxhon tjetër goleadë dhe brenda 4 ditëve në dy ndeshje shënon 8 gola. Kuqezinjtë nisën furishëm duelin me Pobedën dhe gjeti tre herë rrjetën brenda 26 minutave të para. Alimi zhbllokoi shifrat në minutën e pestë me përfundim të saktë pas asistit të A. Ibraimit, Totre dyfishoi rezultatin në të 14-ën pas aksionit të bukur nga krahu i djathtë, ndërsa rezultatin e pjesës së parë 3:0 e vendosi Bejtullai në minutën e 26-të, pasi ndoqi mirë zhvillimet para portës kundërshtare. Në fraksionin e dytë Shkëndija shpërdoroi disa mundësi dhe Pobeda arriti të ngushtojë diferencën në 3:1 me golin e Makota-s në minutën e 76-të, ndërsa shpejtë kuqezinjtë do të sillnin dy gola tjerë. Fillimisht Radeski realizon me kokë për 4:1 pas harkimit të Micit në minutën e 83-të, ndërsa Junior dy minuta më vonë shënon golin e pestë pasi morri asist nga Bojku. Me tre pikët që kishin hyrë në llogarinë e Shkëndijës, Pobeda në minutën e fundit gjeti golin e dytë me anë të Trajkoskit që fiksoi rezultatin final Shkëndija 5, Pobeda 2.
PJESA E PARË
Kuqezinjtë nisën me shumë energji në sulm dhe qasja e tillë solli ndryshim shumë herët. Vetëm pesë minuta u deshën që Emini e A. Ibraimi të zhvillojnë aksion të saktë, ndërsa asisti i numrit ’10’ konvertohet në gol nga Alimi që godet saktë nga 13-14 metra. Pak pas epërsisë Emini i’u afrua golit të dytë, mirëpo e djathta e tij nuk gjeti kuadrantin. Kuqezinjtë imponin me lojë të bukur dhe me shumë kombinime dhe ishte çështje kohe momenti kur do të vinte goli i dytë. Agim Ibraimi dhe Murati në minutën e 14-të zhvilluan aksion në krahun e djathtë, Junior kërcen topin pas asistit në zonë, ndërsa Totre realizon për 2:0. Ndeshja vazhdoi të duket si trafik një kahësh ne Imerin që lëshoi një predhë të fortë jashta kuadrantit, ndërsa në minutën e 25-të e djathta e A. Ibraimit pritet nga Tofilovski para se të ndalet në kornizën e portës. Gjithsesi goli i tretë do të vinte pak çaste më vonë kur harkimi i Ibraimit në zonë përfundon me asist nga ana e Sadriut, ndërsa Bejtullai në rënie shënon për 3:0. Në minutën e 32-të Tofiloski bën të pamundurën kur ndal goditjen e A. Ibraimit në pozitë ballore pasi paraprakisht asist të saktë solli Junior. Pobeda dukej e pafuqishme për të reaguar dhe duhej të kalonin 37-të minuta lojë për të parë kanosjet e para të miqve. Goditjet e Makota-s dhe Trajkoskit shkuan jashta portës, ndërsa Zahov kontrolloi tentimin e Karçeskit pesë minuta para pauzës. Deri në pushim kuqezinjtë humbën disa mundësi për gol të katërt, por miqtë arritën të mbrohen.
PJESA E DYTË
Shkëndija mbajti tempo të njejtë edhe në vazhdim dhe mes disa sulmeve veçojmë minutën e 54-t kur e djathta e Alimit ndalet në shtyllë. Gjashtë minuta më vonë Junior shërben në zonë për A. Ibraimin, mirëpo Tofiloski ndal të majtën e tij. Në anën tjetër Makota teston Zahovin me një të majtë të fortë, por me pritje të bukur përgjigjet gardiani kuqezi. Golit të katërt i’u afruam në minutën e 72-të kur A. Ibraimi lëviz bukur dhe asiston para portës ku në dy kohë bllokohen tentimet e Totres dhe Zejnullait. Shanset e humbura u ndëshkuan në minutën e 76-të kur Makota realizon për 3:1. Goli i pranuar nuk ndryshoi ritmin e kuqezinjëve që vazhduan të krijojnë dhe kështu sollën golin e katërt. Mici harkon saktë, ndërsa përfundim të bukur me kokë sjell Radeski. Goli me kokë do të ishte arma e kuqezinjëve në fund të ndeshjes pasi shpejtë erdhi goli i pestë. Bojku asiston, ndërsa Junior me kokë çon rezultatin në 5:1.
Në anën tjetër pritje fenomenale prodhon Zahov, sa për të dëshmuar formën e mirë. Pobeda në çastet e fundit gjen golin e dytë me anë të Trajkoskit, duke mbyllur shifrat përfundimtare 5:2.
SHKËNDIJA-POBEDA 5:2 (3:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 2 000
Arbitër: Aleksandar Grujoski
Golashënues: Alimi 5′, Totre 14′, Bejtullai 26′, Radeski 83′ dhe Junior 85′ (Shkëndija), ndërsa Makota 76′ dhe Trajkoski 90′ (Pobeda)
Kartona të verdhë: Bejtullai (Shkëndija), ndërsa Asani dhe Timovski (Pobeda)
SHKËNDIJA: Zahov, Mici, Bejtullai, Alimi (Bojku 82′), Sadriu, Totre, A. Ibraimi, Murati, Junior, Emini (Radeski 56′), Imeri (Zejnullai 71′).
Trajner: Qatip Osmani
POBEDA: Tofiloski, Timovski, Jaqimoviq, Ristevski, Spirkoski, Karçeski (M. Naumoski 57′), Makota, Trajkoski, J. Naumoski (Spirkoski 76′), Asani, Tanushev (Mandiq 22′).
Trajner: Toni Meglenski