Shkëndija fiton 2:0 testin me Orenburgun e Rusisë. Emini dhe Imeri shënojnë golat për kuqezinjtë, ndërsa debutojnë përforcimet e janarit, Ibraimi e Husmani. Pas operimit të meniskut rikthehet Junior.

Shkëndija zhvilloi një tjetër paraqitje pozitive në kuadër të fazës përgatitore në Antalia të Turqisë, kësaj rradhe përballë ekipit cilësorë Orenburg që luan në Premier Ligën e Rusisë. Në pjesën e parë trajneri Qatip Osmani si gjithmonë në fushë nxori formacion ofenziv, duke i dhënë shansin të debutojë përforcimit të janarit Agim Ibraimi, në pjesën e dytë paraqitjen e parë me kuqezinjtë regjistroi edhe Zeni Husmani, ndërsa në minutën e 79-të në lojë hyri edhe Junior që rikthehet nga lëndimi.

Loja ishte e hapur nga të dyja palët, Zahov kishte një pritje të mirë, para se Emini dhe Ibraimi të tentojnë me goditje që nuk gjejnë portën. Ndryshimi erdhi në minutën e 38-të kur Murati ekzekuton gjatë një rivënie anësore, me Izair Eminin që tregohet insistues në zonë dhe nga një pozitë e vështirë shënon për epërsi 1:0. Pjesa e dytë vazhdoi me tempo të njejtë dhe Shkëndija ishte më konkrete. Nga minuta e 60-të trajneri Osmani ndryshoi gjithë ekipin në përjashtim të Sadriut që mbeti në lojë, ndërsa lojtarët e inkuadruar imponuan të njejtën grintë në terren duke krijuar disa raste që si pasojë sollën golin e dytë.

Ishte minuta e 71 kur Beqiri dhe Merxhani zhvillojnë aksion të bukur, ndërsa asistin para portës e pret mirë Omar Imeri që godet saktë për 2:0. Pak mungoi të sjellim golin e tretë në minutën e 79-të kur e djathta e fortë e Bojkut ndalet në shtyllë, ndërsa menjëherë pas kësaj në terren u inkuadrua Stenio Junior që rikthehet të luajë pas ndërhyrjes kirurgjike të meniskut të kryer në nëntor të vitit të kaluar. Minutat e fundit rusët vendosën dominim të lehtë në fushë dhe vazhdimisht kërkonin të sulmojnë, mirëpo Shkëndija u mbrojt me sukses duke menaxhuar të fitojë pastër 2:0.

 

SHKËNDIJA-ORENBURG 2:0 (1:0)
Gloria Serenity, Belek
Golashënues: Emini 38′ dhe Imeri 71 (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Musliu, Sadriu, Mici, Alimi, Totre, A. Ibraimi, Emini, Nafiu, Fazli.
Luajtën edhe: Rexhepi, Todorovski, Çeshmexhiev, Merxhani, Zejnullai, Husmani, Omeri, Bojku, Beqiri, Shefiti dhe Junior.
Trajner: Qatip Osmani

 

 

Të rejat në skuadër

Në takimin e sotëm kontrollues me Orenburgun nuk ishte në kombinim Egzon Bejtullai. Mbrojtësi qendror në ndeshjen e sotme u la i lirë, pasi ka shqetësimin e një lëndimi të natyrës më të lehtë që ka ardhur si pasojë e ngarkesës në seancat stërvitore dhe stafi teknik nuk deshti të rrezikojë me inkuadrimin e tij në lojë. Ndërkohë kryesia e klubit ka vendosur që portieri Salejdin Mustafi për gjashtë muajt e ardhshëm të huazohet në rradhët te FC Shkupit.

Share Now

Related Post