• Kuqezinjtë humbin 1:2 revanshin me Nomme Kalju-n e Estonisë
• Humbja na eliminon nga eliminatoret e UCL, pavarësisht fitores 1:0 në ndeshjen e parë
• Agim Ibraimi shënon sërish nga pika e bardhë, mirëpo e pamjaftueshme për kualifikim
• Kundërshtari i rradhës në UEFA Europa League është F91 Dudelange nga Luksemburgu

Kuqezinjtë eliminohen nga eliminatoret e UEFA Champions League dhe vazhdojnë në Europa League ku do të përballen me F91 Dudelange nga Luksemburgu. Pas fitores 1:0 në ndeshjen e parë, sot Shkëndija u mund 1:2 dhe sheh eliminimin pas kundërshtarin e favorizojnë dy golat si mysafirë.

Me fitore si mysafirë dhe rolin e favoritit kuqezinjtë kërkuan të vendosin autoritet që në fillim. U kanosëm të parët me Radeskin që tregohet i ulët në harkimin e Muratit, ndërsa miqtë në daljen e parë përpara gjetën epërsinë. Ishte minuta e pestë kur harkimi nga këndi gjenë shtatëlartin Ugge i cili me kokë realizon për 0:1. Radeski dhe Ibraimi tentuan të përgjigjen, por pa rezultat. Me epërsi kundësulmi ishte arma kryesore e mysafirëve të cilët u kanosën në minutën e 17-të me Subbotin që gjuan ashpër mbi traversë. Në anën tjetër Mici gjen në zonë Agim Ibraimin, goditja me kokë e të cilit kontrollohet nga portieri mysafir. Shansin e fundit në pjesën e parë e solli Besart Ibraimi nga gjuajtja e lirë në minutën e 39-të, por Londak largon topin mbi traversë.

 

 

Pjesa e dytë nisi me një Shkëndijë shumë sulmuese dhe Nafiu zuri vendin e Husmanit. Pavarësisht kësaj gjuajtjen e parë e kishin miqtë, por pa mundur të gjejnë kuadrantin. Në anën tjetër fati ishte me estonezët kur gjuajtja e lirë e Besart Ibraimit preket me majen e gishtërinjëve nga porieri Londak dhe ndalet në shtyllë, para se Radeski të godasë jashta portës. Në minutën e 54-t Agim Ibraimi prodhon një të majtë të fortë që pritet mrekullisht nga Londak. Portieri mysafir do të shfaqej shpëtimtar edhe dy minuta më vonë kur me ndihmën e shtyllës kontrollon të majtën e Micit. Presioni do të sillte rezultat në minutën e 62-të kur fitojmë penalti pas lojës me dorë në zonë, ndërsa Agim Ibraimi nuk gabon nga gjuajtja e lirë dhe sjell barazim 1:1.
 

 
Shkëndija u entuziazmua nga nivelizimi i rezultatit dhe u hodh në sulm për të kërkuar golin e dytë dhe kuqezinjtë krijuan një mori rastesh që mbetën pa u shfrytëzuar. Fillimisht e majta e Agim Ibraimit ndalet në traversë dhe topi i kthyer te Mici nuk gjen portën. Në minutën e 72-të bombë nga Alimi që largohet në këndore nga portieri Londak, i cili më vonë neutralizon edhe tentimet e Juniorit dhe Agim Ibraimit. Ndëshkimi do të vinte në minutën e parë të kohës shtesë kur pas një ndërprerje miqtë gjejnë golin e dytë me Liliu për shok të vërtetë në taborin kuqezi. Humbja 1:2 eliminon Shkëndijën nga eliminatoret e UEFA Champions League, pavarësisht fitores 1:0 në ndeshjen e parë në Estoni. Shkëndija vazhdon në raundin e dytë të UEFA Europa League ku javën e ardhshme luan si vendas me humbësin e duelit F91 Dudelange (LUX)-Valletta (MLT).

SHKËNDIJA-NOMME KALJU 1:2 (0:1)
Stadiumi “Todor Proeski” në Shkup
Shikues: 2 500
Arbitër: Alain Bieri (Zvicër)
Golashënues: Ugge 5′ dhe Liliu 90’+1 (Nomme Kalju), ndërsa A. Ibraimi 62′ (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Bejtullai, Musliu, Mici, Alimi (c), Husmani (Nafiu 46′), A. Ibraimi, Totre (Çeshmexhiev 90’+2), Radeski, B. Ibraimi (Junior 63′).
Trajner: Qatip Osmani
NOMME KALJU: Londak, Markovych, Avilov, Ugge, Kulinitsh, Subbotin, Alidor, Paur (Tjapkin 87′), Mashitshev (Volkov 60′), Klein, Liliu.
Trajner: Roman Kozhukhovskyi

Share Now

Related Post