Shkëndija kthehet në rrugën e fitores pasi mundi me shifrat bindëse 3:0 Bellasicën në duelin e xhiros së 21 në LPFM, ndërsa Agim Ibraimi gjen golin e parë në një ndeshje zyrtare pas kthimit në taborin kuqezi. Me disa ndryshime në formacion krahasuar me dy përballjet e para të këtij gjysmësezoni, nga fillimi startuan Junior, Bojku e Nafiu, ndërsa në pankinë qëndruan Fazli dhe dy të griposurit, Agim Ibraimi e Totre. Shkëndija dominoi në tërësi takimin dhe krijoi shumë mundësi shënimi, mirëpo pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura. Kuqezinjtë në vazhdim shtuan presionin dhe pas vetëm 9-të minutave lojë në pjesën e dytë gjejnë epërsinë me anë të Izair Eminit. Qetësi në lojë solli Agim Ibaimi me një super realizim nga gjuajtja e lirë në minutën e 83-të, ndërsa shifrat përfundimtare Shkëndija 3, Bellasica 0 i vendosi Omar Imeri në minutën e 88-të. Për Shkëndijën kjo ishte fitorja e 14-të sezonale dhe e treta përballë ekipit nga Strumica, skuadër që tregohet t’i shkojë për shtati sulmuesit Emini që në këtë kampanjë u ka shënuar 5 gola.

PJESA E PARË
Pas pesë minutave të para të qeta nxitjet e para erdhën kur Nafiu e Imeri zhvillojnë aksion të mirë, ndërsa Emini nga afërsia godet në kokë një mbrojtës kundërshtar që shpëton gol të sigurtë. Tre minuta më vonë edhe një herë Bojku dhe Imeri kombinojnë mirë, ky i fundit lirohet bukur nga kundërshtari por goditja e tij pritet nga Vujanac. Junior solli kanosjen e rradhës pas depërtimit të Nafiut, mirëpo goditja e brazilianit devijohet në këndore. Me një Bellasicë të pozicionuar në mbrojtje kuqezinjtë ishin skuadra e vetme që krijonte lojë dhe rreziku i rradhës për Bellasicën do të vinte në minutën e 19-të kur goditja e Bejtullait me kokë nuk gjeti kuadrantin. Gjysmë ore lojë u deshën që mysafirët të dalin përpara, por mundur të organizojnë ndonjë sulm premtues, derisa në anën tjetë kuqezinjtë brenda 10 minutave të rradhës krijuan tre mundësi serioze që u pritën nga portieri mysafir. Fillimisht Vujanac kontrollon tentimin e Alimit nga distanca, pak më vonë Nafiu nxjer Imerin në pozitë ballore, por shpëton mrekullisht portieri mysafir, ndërsa të njejtin epilog pati edhe tentimi i Eminit me kokë pas një harkimi nga këndi. Bellasica tentimin e parë në drejtim të portës së Zahovit e pati në minutën e 40-të por pa ndonjë shqetësim serioz.

PJESA E DYTË
Fraksionin e dytë e nisëm me kansoje të menjëhershme me Nafiun, por tentimi i tij me kokë nuk shqetësoi Vujanacin. Kuqezinjtë rritën presionin dhe vetëm fati i madh sportiv shpëtoi miqtë nga pësimi i golit kur fillimisht bllokohet tentimi i Juniorit, ndërsa disa sekonda më vonë Vujanac ndal tentimin e Bejtullait me kokë. Por fati nuk mund të ishte deri në pafundësi me miqtë dhe në minutën e 54-t erdhi epërsia e merituar. Junior godet me kokë, ndërsa Emini nga afërsia shënon për 1:0.

Trajneri Osmani shpejt bëri dy zëvendësime duke futur në lojë A. Ibraimin dhe Fazli, mirëpo miqtë shkuan pranë barazimit kur Gorgiev godet ashpër ma Zahov që shpëton me ndihmën e shtyllës. Shkëndija mundej dhe duhej të dyfishojë rezultatin në minutën e 70-të kur zhvillojmë kundërsulm model, Fazli asistoi drejt Imerit i cili parabolon bukur portierin kundërshtarë, por kur të gjithë panë topin në rrjetë arrin Sulev që shpëton gol të sigurtë. Në minutën e 83-të do të vinte goli i parë zyrtar pas kthimit në Shkëndijë për Agim Ibraimin. Goditje standarde në një pozitë ideale për të, ndërsa numri ’10’ prodhon goditje fantastike për dyfishim të rezultatit.


Dy minuta para fundit të kohës së rregullt Agim Ibraimi asiston për Imerin që realizoi për 3:0. Në minutat shtesë Mici e Ibraimi i shkuan afër golit të katërt, mirëpo fillimisht topi ndalet në shtyllë, ndërsa më pas bllokohet e majta e Ibraimit. Gjithsesi 3:0 mjaftojnë për fitore të re dhe tashmë distancë prej 9-të pikëve para vendit të dytë.

SHKËNDIJA-BELLASICA 3:0 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 2 000
Arbitër: Igor Stojçevski
Golashënues: Emini 54′ dhe A. Ibraimi 83′ dhe Imeri 88′ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Murati, Bojku dhe Alimi (Shkëndija), ndërsa Sulev (Bellasica)
SHKËNDIJA: Zahov, Mici, Bejtullai, Alimi, Musliu, Murati, Junior (Fazli 58′), Bojku, Emini (Totre 73′), Imeri, Nafiu (A. Ibraimi 58′).
Trajner: Qatip Osmani
BELLASICA: Vujanac, Milushev, Mirçevski, Sulev (Serafimovski 77′), Georgiev, Vujçiç (Balldovaliev 55′), Mitevski, Kalpaçki (Saviq 60′), Stojkov, Drobarov, Maslaq.
Trajner: Rade Cicmiloviq

Share Now

Related Post