Shkëndija mundet në Tetovë me rezultat 1:0 nga Akademia Pandev në takimin e xhiros së 17-të në LPFM. Disfata e dytë sezonale ndal serinë prej shtatë fitoreve të njëpasnjëshme në kampionat, por kuqezinjtë mbeten lider të renditjes me tre pikë më shumë se ekipi i vendit të dytë. Fillimit të ndeshjes do t’i paraprinte një gjest i bukur i mysafirëve të cilët përmes kapitenit Stoilov me një buqet me lule na uruan festën e 28 nëntorit. Në lojë Shkëndija që në start kërkoi të vendoste autoritet, mirëpo përfundimi i aksioneve sikur paralajmëroi se goli vështirë se do të vinte. Pasi humbëm dy raste të mira me Fazli dhe Eminin, momenti vendimtar i takimit ndodhi në minutën e 26-të kur Mario Krstovski shënon golin e vetëm të takimit që miqve u dha fitoren dhe tre pikët. Tentimet e kuqezinjëve për t’u rikthyer rezultuan të pasuksesshme pasi pas tentimeve të Fazli, Alimit, Bejtullait dhe Eminit nuk arritëm të paktën të gjejmë golin për shmangie të disfatës.
PJESA E PARË
Kuqezinjtë nisën lojën në sulm dhe kansojen e parë e sjell Fazli i cili në minutën e 7-të godet me kokë skaj portës. Shkëndija vazhdoi të prodhojë lojë të bukur me shumë pasime të sakta dhe në minutën e 18-të Mici sjell harkim të saktë para portës ku Çubrakoviq pret shkëlqyeshëm goditjen e Eminit me kokë. Në kushte kur kuqezinjtë humbën disa mundësi, mysafirët në minutën e 26-të në një prej daljeve të rralla përpara përmes Mario Krstovskit shënojnë për epërsi 1:0. Dy minuta më vonë i’u afruam barazimit kur goditja e Fazli me kokë shkoi fare pranë portës. Deri në fund të pjesës së parë në fushë luante vetëm një skuadër, kuqezinjtë u zhvendosën në pjesën kundërshtare por pa mundur të sjellin ndonjë mundësi më serioze për gol.
PJESA E DYTË
Vazhdimi solli imazhe të njejta në fushë me Shkëndijën që krijonte presion të vazhdueshëm dhe në minutën e 52-të Alimi prodhon një bombë nga distanca që neutralizohet mrekullisht nga Çubrakoviq. Në anën tjetër u desh intervenimi i sigurtë i Zahovit për të shmangur golin e dytë të miqve. Në minutën e 58-të Mici gjen në zonë Eminin mirëpo goditja e tij me kokë shkon mbi portë. Të njejtin epilog pati edhe tentimi i Bejtullait pak më vonë, pasi paraprakisht kundërshtarët bllokuan në këndore të djathtën e Imerit. Rrezikun e rradhës do ta sillnim pas harkimit të Alimit nga gjuajtja e lirë, por në rëmujën e krijuar arrijnë të shpëtojnë miqtë. Bejtullai do të provonte nga distanca në minutën e 77-të mirëpo devijohet e djathta e tij në këndore. Minutat e fundit duhej t’i luajmë me 10-të lojtarë në terren pasi në kushte kur kishim kryer tre zëvendësime i lënduar doli Bejtullai. Në minutat shtesë portieri mysafir kontrolloi goditjen e Eminit nga gjuajta e lirë, ndërsa në anën tjetër Zahov shpëton një situatë ballore me Manevskin. Në fund tre pikët u takuan miqve ndërsa kuqezinje edhe përkundër disfatës së dytë sezonale mbeten lider të renditjes.
SHKËNDIJA – AKADEMIA PANDEV 0:1 (0:1)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 3 000
Arbitër: Aleksandar Stavrev
Golashënues: Krstovski 26′ (Akademija Pandev)
Kartona të verdhë: Alimi dhe Mici (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Zahov, Mici, Bejtullai, Musliu, Alimi, Totre (Bojku 55′), Shefiti (Imeri 55′), Murati, Emini, Nafiu, Fazli (Selmani 77′).
Trajner: Qatip Osmani
AKADEMIA PANDEV: Çubrakoviq, Jovanov, Atanasoski, Dimov, Kostov, Ivanov, Stoilov, Mihailov (Millovanoviq 76′), Krstovski (Ivanov 87′), Temelkov, Stojkov (Manevski 70′).
Trajner: Jugosllav Trençovski