“Kuqezinjtë” nisin sezonin e ri me tre pikë duke fituar 2:0 përballë rivalit nga Shkupi, Vardarit. Shkëndija dominoi gjithë kohën, kundërshtari mbijetoi në fraksionin e parë, mirëpo në të dytën Alimi dhe Junior zgjidhin dilemat e fituesit.
Shkëndija zhvilloi një pjesë të parë shumë të mirë, duke dominuar me lojë dhe shanse, por pa mundur të gjejë golin. Junior solli kanosjen e parë pas pesë minutave lojë, por i gatshëm në portë shfaqet Gaçevski. Hasani në minutën e 8-të vjedh një top dhe del para Gaçevskit, mirëpo shpëton portieri kundërshtar. Rivali kanosjen e vetme në pjesën e parë e kishte në minutën e 24 me anë të Bllazhevskit, mirëpo Zahov shpëton me pritje të bukur. Në anën tjetër Ibraimi depërton në zonën kundërshtare ku ndalet me faul, mirëpo arbitri Meçkarovski tregon vetëm karton të verdhë për sulmuesin e Shkëndijës. Deri në fund të pjesës së parë u kanosën edhe Radeski, Hasani dhe Junior, mirëpo skuadrat në pushim shkuan me rrejta të paprekura.
Vardari shpëtoi mrekullisht në fillim të pjesës së dytë kur Junior dy herë asistonte, mirëpo Ibraimi dhe Alimi nuk shënojnë nga pozita ideale. Por fati nuk mund të ishte përfundimisht me kundërshtarin dhe në minutë e 61 pas disa kombinimeve Alimi sjell gol spektakolar për epërsi 1:0. Vardari pa marrë mirë veten nga goli i parë pranuan të dytin. Ishte minuta e 66-të kur Hasani jep asist perfekt për Juniorin, ndërsa braziliani me një të majtë precize realizon për 2:0. Këtu përfundoi historia e kësaj përballje, deri në fund “kuqezinjtë” vetëm menaxhuan si duhet lojën, duke mbyllur ndeshjen me fitore dhe tre pikë në start të sezonit të ri garues 2017/2018 në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë.
SHKËNDIJA-VARDARI 2:0 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 10 000
Arbitër: Dimitar Meçkarovski
Arbitra anësorë: Dejan Nedelkovski dhe Goce Petrevski
Arbitra shtesë: Nikolla Kostençev
Delegat: Zoran Mihajllovski
Golashënues: Alimi 61′, Junior 66′ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Ibraimi, Alimi, Cuculi, Junior, Bojku (Shkëndija), ndërsa Nikollov, Bersegjan, Hambarxhumjan, Novak, Grnçarov, Bllazhevski (Vardari)
Karton i kuq: /
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Alimi, Cuculi, Ibraimi (Abdurahimi 82′), Totre, Hasani (Shefiti 90’+), Çelikoviç, Radeski, Junior (Bojku 80′), Todorovski.
Trajner: Qatip Osmani
VARDAR: Gaçevski, Grnçarov, Spirovski, Bllazhevski, Bersegjan, Kolevski (Velkovski 46′), Hambarxhumjan, Nikollov (Iseni 70′), Novak (Jigauri 61′), Demiri, Felipe.
Trajner: Goce Sedloski