Shkëndija ka nisur me fitore 2:0 gjysmëstinorin pranveror, duke i mundësuar debutim me fitore trajnerit gjerman Tomas Brdariç. Kapiteni Hasani në pjesën e parë dhe Medjedoviç me gol në debutim në të dytën realizuan për fitore dhe tre pikë kundër Sileksit. Paraqitje shumë pozitive edhe për përforcimet Abdurahimi, Medjedoviç, Çollak dhe Çelikoviç.
“Kuqezinjtë” startojnë mbarë gjysmëstinorin pranveror, pasi në ndeshjen e parë zyrtare në vitin 2017 mundën 2:0 Sileksin e Kratovës, në një ndeshje të dominuar prej fillimit deri në fund. Brdariç e nis me fitore, ndërsa kishte guximin në formacionin e parë të inkuadrojë dy lojtarë të ri, Totren dhe Zejnullain.
Pjesa e parë solli dominim të plotë të Shkëndijës, që vazhdimisht ishte në kërkim të golit, ndërsa kundërshtari i orientuar në mbrojtje nuk lejonte shumë hapsira. Ibraimi, Medjedoviç dhe Zejnullai kishin kansoje drejt portës kundërshtare, ndërsa në minutën e 29-të arbitrat nuk dhanë penalti në një situatë të dyshimtë në zonën e Sileksit kur kishte faul të dyfishtë ndaj lojtarëve ‘kuqezi’. Kur dukej se pjesa e parë do të përfundojë pa gola, Shkëndija zhvillon aksion të bukur, Abdurahimi asiston bukur, ndërsa kapiteni Hasani realizon saktë për epërsi 1:0.
Në fillim të pjesës së dytë Sileksi kishte mundësi pas një pasigurie të Jovanovskit, ndërsa në anën tjetër në minutën e 56-të Medjedoviç fiton penalti pasi ndalet me faul në zonë. Kapiteni Hasani gjuajti nga pika e bardhë, mirëpo topi u ndal në shtyllë. Në vazhdim Shkëndija vazhdoi të dominojë, Totre kishte tentim nga distanca, ndërsa fati i takimit u mbyll 11-të minuta para fundit kur Dino Medjedoviç lëviz bukur dhe realizon për 2:0. Kështu “kuqezinjtë” e nisin me fitore gjysmësezonin pranveror, ndërsa me sukses debutojnë trajneri Brdariç dhe përforcimet Abdurahimi, Medjedoviç, Çollak dhe Çelikoviç.
SHKËNDIJA-SILEKSI 2:0 (1:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 5 000
Arbitër: Stojançe Stojanov
Arbitra anësorë: Nikolla Karakolev dhe Goran Manasiev
Delegat: Mahir Selami
Golashënues: Hasani 45+1’ dhe Medjedoviç 79’ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Ibraimi (Shkëndija), ndërsa Timov, Stojçevski, Timovski dhe Filipoviç (Sileksi)
Karton i kuq: /
SHKËNDIJA: Jovanovski, Çelikoviç, Bejtullai, Cuculi, Ibraimi (Radeski 83’), Totre, Medjedoviç (Juffo 90’), Hasani, Zejnullai, Çollak, Abdurahimi (Todorovski 88’).
Trjaner: Tomas Brdariç
SILEKSI: Vujanac, Filipovski, Gucev, Stojçevski, Filipoviç, Tanushev, Timov (Dodev 80’), Panovski (Acevski 79’), Kalanovski, Timovski, Mojsov (Mickov 73’).
Trajner: Zhikica Tasevski.