Shkëndija është mundur me rezultat 0:1 nga Shkupi në ndeshjen e shtyrë të xhiros së tretë të LPFM-së, e cila duhej të luhet në muajin gusht, por u shty shkaku i pjesëmarrjes në eliminatoret e Liga Europa. Ermedin Adem shënoi golin që Shkupit i solli tre pikë.
‘Kuqezinjtë’ kanë lëshuar shansin të ofrohen në 2 pikë pranë kreut, pasi u mundën 0:1 nga Shkupi në mdeshjen e xhiros së tretë të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë.
Pjesa e parë solli lojë shumë të qetë me Shkëndijën që kishte iniciativë, ndërsa Shkupi kryesisht ishte i orientuar në mbrojtje. Ibraimi solli kanosjen e parë në minutën e 11-të kur nga gjuajtja e lirë goditi mbi portë. Në minutën e 25-të Todorovski u ndal me faul në zonë, mirëpo arbitri Eckovski tregoi loja të vazhdojë. Shkëndija solli aksion të mirë në minutën e 33-të kur Ibraimi pasoi për Hasanin, mirëpo e majta e tij u kontrollua nga portieri Zendeli.
Në pjesën e dytë pas 10-të minutave lojë provon Ibraimi nga jashta zonës, por vetëm pranë portës. Në minutën e 68-të Muharem Bajrami provoi me parabolë nga pjesa e Shkupit të befasojë Jovanovskin, mirëpo për pak mbi portë. Në anën tjetër predhë e Ibraimit nga gjuajtja e lirë, me pritje vendimtare përgjigjet Zendeli. Ndryshimi në rezultat erdhi në minutën e 77-të kur pas një harkimi në zonë gabon Menendez, ndërsa Adem nuk fal këtë dhuratë duke realizuar për epërsi 0:1 të Shkupit. Shkëndija tani duhej të ndjek negativë dhe në minutën e 79-të Hasani godet fortë nga afërsi, mirëpo mrekullisht shpëton Zendeli. Pak më vonë pas një harkimi tenton Zhunior me kokë, por vetëm skaj portës. Deri në fund nuk pati ndryshim dhe fitorja i takoi Shkupit.
SHKËNDIJA-SHKUPI 0:1 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 2 500
Arbitër: Marjan Eckovski
Arbitra anësorë: Kiril Nigerieski dhe Aco Macevski
Delegat: Ivanço Zahariev
Golashënues: Adem 77’ (Shkupi)
Kartona të verdhë: Iseni (Shkupi)
Karton i kuq:
SHKËNDIJA: Jovanovski, Alimi, Cuculi, Ibraimi, Totre (Asani 46’), Hasani, Zhunior, Bojku (Haberkorn 71’), Todorovski, Vujçiç, Menendez.
Trajner: Bruno Akrapoviç
SHKUPI: Zendeli, Maliqi, Bajrami, Adili, Kadriu (Zuka 76’), Iseni, Traore (Janevski 67’), Osmani, Adem (Llambin 90’+1’), Asani, Llazarevski.
Trajner: Visar Ganiu