‘Kuqezinjtë’ mbyllin gjysmësezonin vjeshtor me tre pikë përballë Pelisterit, ndërsa vendos një gol i mrekullueshëm i Armend Alimit. Mes tjerëve, shkëlqen Enur Totre që tregon perfomansë impresive.
Shkëndija ka fituar 1:0 Pelisterin në ndeshjen e xhiros së 18-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë. ‘Kuqezinjtë’ dominuan prej fillimit deri në fund, ndërsa miqtë të orientuar në mbrojtje kërkonin shansin e tyre në kundërsulm. Shkëndija në minutën e katërt sulmoi nga krahu u djathtë, kur Totre ndalet me faul në zonë, mirëpo arbitri Markoski tregon loja të vazhdojë. Në anën tjetër një goditje e fortë nga distanca pritet nga Jovanovski që largon në rivënie nga këndi. Në minutën e 14-të Pashovski kontrollon me vështirësi goditjen e Alimit, ndërsa në minutën e 29-të tentimi i Ibraimit shkon mbi portë.
Vetëm katër minuta pas fillimit të pjesës së dytë ndodhi momenti më i bukur i ndeshjes. Armend Alimi lëshon një bombë nga distanca, ndërsa topi ndalet vetëm në rrjetën kundërshtare pasi këndi i majtë i lartë i portës nuk ishte i kapshëm për portierin Pashovski. Pas epërsisë Shkëndija vazhdoi të dominojë dhe në vazhdim tentime të pasuksesshme kishin Alimi dhe Zhunior. Në minutën e 63-të mundësi e mirë për Hasanin, mirëpo goditja e fortë e kapitenit shkon mbi portë. Pesë minuta më vonë asist i bukur i Zhuniorit për Alimin, i cili provon në mënyrë atraktive, mirëpo shtylla shpëton portën kundërshtare. Në minutat e fundit miqtë tentonin të barazojnë, mirëpo Shkëndija ishte e reshtuar mirë dhe në fund koleksionoi tre pikë të reja, duke mbyllur gjysmësezonin vjeshtor me fitore.
MATCH GALLERY
SHKËNDIJA-PELISTERI 1:0 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 2 000
Arbitër: Marjan Markoski
Arbitra anësorë: Kiril Nigerieski dhe Laze Çakareski
Delegat: Robert Plastinovski
Golashënues: Alimi 49’ (Shkëndija)
Kartona verdhë: Zhunior dhe Todorovski (Shkëndija), ndërsa Iliev dhe Mirçevski (Pelisteri)
Karton i kuq:
SHKËNDIJA: Jovanovski, Alimi, Cuculi, Ibraimi (Bejtullai 90+1’), Murati, Totre (Bojku 86’), Hasani (Radeski 78’), Zhunior, Pollozhani, Todorovski, Vujçiç.
Trajner: Jeton Beqiri
PELISTERI: Pashovski, Toshevski, Mishevski, Denkovski (Vasilev 61’), Milenkovski (Bozhinovski 68’), Kovaçev, Kardoso, Mirçevski, Markoski (Rodrigez 54’), Trifunovski, Iliev.
Trajner: Naxhi Shensoj
HIGHLIGHTS