Kuqezinjtë e mbyllin me stil gjysmëstinorin vjeshtor në LPFM, duke mundur me shifra të thella 3:0 Renovën. Super paraqitje e Valmir Nafiut që përveç golit të parë ishte inspirues i thuajse gjithë aksioneve të rrezikshme të Shkëndijës në sfidën e sotme. Pas 18-të xhirove skuadra koleksionon fitoren e 12-të në kampionat dhe shkon në pauzën dimërore me 40 pikë të tubuara, 5 më shumë se ekipi i vendit të dytë. Derbi lokal me rivalin nga Xhepçishti kaloi me dominim të kuqezinjëve, ndërsa futbollin e hapur me gol e konkretizoi Nafiu në minutën e 23-të duke shënuar për epërsi 1:0. Renova tentoi të përgjigjet në pjesën e dytë, mirëpo Shkëndija u pa e reshtuar mirë në mbrojtje derisa menaxhoi mirë situatën për të mbyllur ndeshjen. I inkuadruar si zëvendësues në minutën e 63-të, Besmir Bojkut i’u deshën vetëm katër minuta për të gjetur golin e dyfishimit të rezultatit në 2:0. Dy minuta para përfundimit të kohës së rregullt Omar Imeri përfundon me gol për 3:0 aksionin e bukur të kuqezinjëve, që mbyllin me stil gjysmën e parë të kampionatit. Tashmë vëmendja kthehet ka dueli i kthimit të 1/4 së finales së Kupës të mërkurën me Pobedën.

PJESA E PARË
Kanosja e parë ishte për Renovën që kërkon golin me Kadriun në minutën e tetë por pa shqetësuar Zahovin e sigurtë në portë. Përgjigjen kuqezinjtë me Eminin që godet ashpër pas një aksioni të bukur, me topin që nuk gjeti kuadrantin. Skuadrat vazhduan me lojën e hapur dhe raste të dyfishta do të vinin në të dyja portat. Fillimisht Zahov kontrollon lehtë tentimin e Sadikut, ndërsa në anën tjetër Kobetiq çon në këndore të djathtën e Nafiut. Kanosja e rradhës do të vinte nga Ramadani që me një të djathtë detyron në tjetër intervenim të mirë gardianin kuqezi, kurse e djathta e fortë e Alimit nuk gjen kuadrantin. Kanosjet e ndërsjellta paralajmëruan ndryshimin dhe atë e solli Valmir Nafiu. Ishte minuta e 23-të kur sulmesi kuqezi me shkathtësi kalon mbrojtësin kundërshtarë para se me një të majtë të fortë realizon për 1:0. Tentuan ‘vendasit’ të përgjigjen me Sulejmanin nga gjuajtja e lirë, por megjithëse me një pasiguri fillestare, gjithsesi Zahov kontrollon topin në dy kohë për të lënë në fuqi epërsinë minimale pas 45 minutave të para.

PJESA E DYTË
Rezultati i pjesës së parë natyrshëm impononte Renova të jetë më kërkuese, mirëpo tentimet e tyre nga distanca nuk ishin rrezik për Zahovin. Në anën tjetër dy herë kanoset me kokë Fazli, mirëpo në të dyja rastet  Kobetiq pret sigurtë. Renova i’u afrua barazimit me Ramadanin që lëviz bukur në zonë, por me super pritje shpëton Zahov. Renova rriti presionin në kërkim të barazimit dhe në kushte kur kuqezinjtë kontrolluan mirë në mbrojtje, përmes një kundërsulmi sollën goditjen e dytë të takimit. Nafiu bukur lëviz në të majtë dhe asiston para portës ku Bojku me vole realizon bukur për 2:0. Tashmë loja fitoi në qetësi dhe ekipi kishte më shumë lehtësi qarkullimi.

Loja e tillë solli golin e tretë dy minuta para fundit kur Nafiu, Zejnullai dhe Emini zhvillojnë aksion të bukur, ndërsa Imeri realizon për 3:0 që në fund u tregua të jetë rezultati final i takimit.

➡   FOTOGALERIA

RENOVA – SHKËNDIJA 0:3 (0:1)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 2 000
Arbitër: Dejan Jakimovski
Golashënues: Nafiu 23′, Bojku 67′ dhe Imeri 88′ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Sadiku dhe Kadriu (Renova), ndërsa Imeri dhe Mici (Shkëndija)
RENOVA: Kobetiq, Sadiki (Zuka 68′), Kadriu (Maksuti 73′), Nuhi, Ramadani, Sulejmani (Gafuri 46′), Stojanovski, Mishkovski, Fetai, Velija, Abdulla.
Trajner: Nikolla Ilievski
SHKËNDIJA: Zahov, Mici, Bejtullai, Musliu, Alimi (Taipi 87′), Totre (Zejnullai 84′), Imeri, Murati, Emini, Nafiu, Fazli (Bojku 63′).
Trajner: Qatip Osmani

Share Now

Related Post