Shkëndijë spektakolare që mund me shifrat e larta 1:6 Renovën në festën e 25 vjetorit të “Ballistëve”. Ibraimi dhe Hasani me nga dy gola, si dhe Junior e Shefiti me nga një realizim kompletuan fitoren e 14-të sezonale që kuqezinjtë i përforcon në kreun e tabelës dhe siguron titullin e kampiones së dimrit.
Spektakël, fitore, festë dhe kampione e dimrit. Kështu përshkruhet me pak fjalë pasditja e të shtunës në stadiumin e qytetit në Tetovë, ku kuqezinjtë në kuadër të xhiros së 17-të në LPFM mundin bindshëm 6:1 Renovën dhe me tre pikë urojnë festën e 25 vjetorit të “Ballistëve”. Shkëndija startoi ndeshjen furishëm dhe zhvilloi një pjesë të parë të shkëlqyeshme me tre gola të shënuar. Dhe nuk mund të ishte ndryshe në ditën kur “Ballistët” në tribuna festonin 25 vjetorin e themelimit. Dhurata e parë për ta do të vinte në minutën 3-të kur Bejtullai harkon në zonë, ndërsa Ibraimi me kokë realizon për epërsi 0:1. Pasoi lojë më e qetë kur Renova qarkullonte topin por nuk gjente hapsirë për të rrezikuar, ndërsa në anën tjetër Shkëndija rrezikoi me Ibraimin dhe Alimin. Ndryshim nuk pati deri në minutën 26-të kur Hasani fiton penalti pas një aksioni model, ndërsa më pas ekzekuton me shumë stil për 0:2. Dominimi i kuqezinjëve do të vazhdonte dhe në minutën e 34-t Alimi asiston për Ibraimin, i cili pasi i afrohet portës gjen golin e dytë personal dhe të tretin për Shkëndijën. 0:3 u mbyll pjesa e parë, ndërsa fillimi i pjesës së dytë solli dy gola të shpejtë, nga një në secilën portë. Fillimisht pas një harkimi në zonë Mishkovski shënon për 1:3, ndërsa me të nisur nga qendra Shkëndija zhvillon aksion të saktë, Junior del para portierit dhe plason saktë për 1:4. Renova ishte në gjunjë, ndërsa kuqezinjtë humbën disa raste për golin e pestë, që gjithsesi do të vinte në minutën e 81. Junior asistoi saktë para portës, ndërsa i riu Shefiti shënon për 1:5. Paraprakisht në minutën e 79-të që simbolizon vitin e themelimit të klubit 1979, “Ballistët” shpërthyen në tribunë me fishekzjare spektakolare. Një minutë para fundit Hasani kishte për të thënë fjalën e fundit në këtë ndeshje, kur realizon me kokë pas asistit të Ibraimit, duke vulosur shifrat përfundimtare, Renova 1, Shkëndija 6. Kështu kuqezinjtë një xhiro para fundit të gjysmëstinorit vjeshtor sigurojnë vendin e parë dhe pranverën do ta presin si kampione e dimrit.
RENOVA-SHKËNDIJA 1:6 (0:3)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 7 000
Arbitër: Konstatin Vlaho
Arbitra anësorë: Nikola Bozhinovski dhe Dejan Dimitrijeviq
Delegat: Kronislav Mantaroski
Golashënues: Mishkovski 47′ (Renova), ndërsa Ibraimi 3′ dhe 34′, Hasani pen. 26′ dhe 89′, Junior 48′ dhe Shefiti 81′ (Shkëndija)
Karton i verdhë: Teqja (Shkëndija)
Karton i kuq:
RENOVA: Kobetiq, Neziri, Jusufi (Skenderi 54′), Nuhi, Gafuri, Velija, Iljazi, Mishkovski, Fetai, Nafiu (Luma 65′), Meireles (Sadiki 71).
Trajner: Vllako Kostov
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Alimi (Bojku 82′), Cuculi, Ibraimi, Hasani, Murati, Zejnullai (Totre 76′), Junior, Emini (Shefiti 69′), Teqja.
Trajner: Qatip Osmani