Kampione, kampione, ole ole ole…..kampione…. Këto ishin brohoritjet pas përfundimit të sfidës Rabotniçki-Shkëndija në Shkup.
Kuqezinjtë mbrojnë titullin e kampionit në elitën e futbollit vendor, pasi katër xhiro para fundit epërsia ndaj vendit të dytë shkon në 13-të pikë. Një gol i Ennur Totres në kohën shtesë solli triumf 1:0 në transfertën e xhiros së 32-të me Rabotniçkin në Shkup, ndërsa gara për titull u mbyll me faktin se sfida Shkupi-Vardari u mbyll me barazim 2:2. Sa i përket takimit Shkëndija dominoi pjesën më të madhe të kohës dhe humbi disa mundësi shënimi, megjithëse edhe vendasit lëshuan disa raste të mira. Sfida dukej se shkon drejt barazimit pa gola kur në kohën shtesë asiston kapiteni Alimi, ndërsa Ennur Totre realizon për start të festës së madhe në kampin kuqezi për titullin e tretë kampion në historinë e Shkëndijës.
PJESA E PARË
Takimi filloi qetë nga të dyja palët dhe mundësia e parë më serioze erdhi në minutën e 10-të nga vendasit, kur Herera godet me kokë pas një harkimi në zonë, por me pritje shumë të bukur përgjigjet portieri Bekim Rexhepi. Pak më vonë në anën tjetër e majta e A. Ibraimit nuk ishte shqetësuese për portierin Jankov.
Në minutën e 18-të Junior dhe Mici zhvillojnë aksion të bukur me Alimin që godet mbi portë. Shkëndija vendosi dominim në terren dhe si rezultat i lojës së mirë erdhën dy kanosje. Fillimisht në minutën e 27-të ‘bomba’ e Alimit ndalet nga Jankov, ndërsa dy minuta më vonë Totre nuk gjen kuadrantin me goditje vole. Në anën tjetër në minutën e 35-të Petkovski nuk shfrytëzon një pozitë shumë ideale, duke goditur kornizën e portës. Pesë minuta para pushimit Ilijoski provoi nga gjuajtja e lirë me Rexhepin që prodhon pritje të bukur në portë.
PJESA E DYTË
Thuajse e pamundur ishte mënyra si Shkëndija nuk pa veten në negativë në fillim të pjesës së dytë, kur në të njejtin aksion goditja e Sharkoskit ndalet në shtyllë, ndërsa në vazhdim e djathta e Bllazhevskit godet traversën. Shpejt tanët morën veten dhe kaluan në sulm dhe i riu Imeri u gjet në mundësi nga e cila nuk arriti të rezikojë më seriozisht portën vendase. Dimitrovski i Rabotniçkit për pak sa nuk shënoi në rrjetë të gabuar në minutën e 68-të, kur Mici depërtoi thellë në zonën e rrezikut, ndërsa topi nga koka e mbrojtësit vendas shkoi mbi traversë. Vendasit vështirë dilnin në sulm dhe kur e bënin këtë nuk arrinin të rrezikojnë më seriozisht si që ishte tentimi i Petkovskit që shkoi mbi portë në minutën e 76-të. Pak më vonë portieri Rexhepi ishte me fat kur e majta e fortë e Hereras shkoi skaj shtyllës. Me barazim 2:2 në sfidën Shkupi-Vardari kishim nevojë për fitore për të mbyllur matematikisht garën për titull dhe goli për kurorëzim të Shkëndijës në fituese të sezonit 2018/2019 do ta sillte Totre në minutën e parë të kohës shtesë kur realizoi me asist të Alimit.
RABOTNIÇKI-SHKËNDIJA 0:1 (0:0)
Stadiumi ‘Toshe Proeski’ në Shkup
Shikues: 200
Arbitër: Petar Marjan Gocevski
Golashënues: Totre 90’+1 (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Ilijoski dhe Manojan (Rabotniçki)
RABOTNIÇKI: Jankov, Herera, Petkovski, Bllazhevski, Ilijoski (Çinedu 80′), Peev (Ackovski 26′), Manojan (Fazliu 90’+1), Sharkoski, Petroviq, Dimitrovski, Vijaçki.
Trajner: Tomisllav Franc
SHKËNDIJA: Rexhepi, Mici (Merxhani 90’+1), Alimi, Musliu, Totre, A. Ibraimi, Radeski (Nafiu 74′), Sadriu, Murati, Junior, Imeri (Shefiti 64′).
Trajner: Qatip Osmani